Tahiri: Viti 2023 ishte vit i humbur për Kosovën
BKT
Lajme

Tahiri: Viti 2023 ishte vit i humbur për Kosovën

E. Hoti / RTKlive

(E Plotësuar) Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se ky vit për Kosovën ka qenë i humbur. Në një intervistë në “RTK Prime”ai ka folur për arsimin, ekonominë, zgjedhjet si dhe për situatën e sigurisë në vend.

Tahiri ka thënë se Kosova ka marrë vlerësimin më të dobët në historinë e saj në testin PISA. ”Ne kemi buxhetin më të madh për hulumtime shkencore, ne nuk kemi asnjë mbështetje të fuqishme në universitetet tona publike dhe nuk kemi një rregullim normal për universitetet private”, ka thënë ai.

Tahiri ishte kritik edhe për qasjen e Qeverisë për pagat në sektorin publik. “Kur flasim për pagat, kjo qeveri katër herë e ka pasur në agjendë ligjin e pagave”.

Sipas tij, Kosova është varfëruar sepse nuk ka pasur koncept zhvillimor. Ai ka thënë se çdo qytetar e çdo biznes në vend është më i varfër.

Po ashtu, sipas Tahirit, ka pasur një tendencë nga ana e pushtetit për ta kapur sistemin gjyqësor.

“Është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka Kryeprokuror të Shtetit. Është vendi i vetëm që udhëheqësi i shtetit thotë se nuk do të bëhet ‘filan fisteku'”, ka shtuar Tahiri.

Sa i përket akuzave të Qeverisë ndaj opozitës, për gjendjen e energjisë në vend si pasojë e keqqeverisjeve të kaluara, Tahiri ka thënë se Qeverinë aktuale mund ta arsyetojë vetëm në një fakt, sepse Kosova blenë shumë energji dhe çmimi i saj në berzën ndërkombëtare është rritur shumë.

“Nuk mundem ta arsyetoj Qeverinë në asnjë masë që të ketë dallim kaq të madh mes faturës së njëjtë të dy muajve të fundit me faturën e nëntor-dhjetorit të vitit 2023. Nuk ka logjikë, sepse nuk ka pasur ndonjë rritje të madhe të çmimit. Barrën e faturës së rrymës kjo qeveri ia ka vendosur qytetarëve që shpenzojnë mbi 800 kilovatë dhe secila familje që shpenzon më shumë paguan tre-katërfish më shumë“, ka nënvizuar ai.

Tahiri: Viti 2024 është vit zgjedhor

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në intervistën në “RTK Prime” ka folur edhe për zgjedhjet.

Sipas tij viti 2024 edhe ashtu është vit zgjedhor, sepse në mars është votuar kjo qeveri dhe në këtë muaj hyn në vitin e katërt të mandatit dhe sipas tij në çfarëdo situate jemi në vit të zgjedhjeve.

“Kurti e kalkulon procesin zgjedhor. Ky njeri i ka pasur dy kauza politike; Vetëvendosje dhe Jo Negociata. Të dyja këto i ka shkelur”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar, tutje, se secila parti duhet të reflektojë mbi gabimet e veta.

Duke folur për ndonjë sulm të mundshëm sikurse ai i 24 shtatorit në Banjskë, Tahiri tha se nuk presin sulm masiv, por si subjekt politik janë të vetëdijshëm se me çfarë armiku përballet Kosova. 

“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për armikun që e kemi. Jemi shumë fatkeq si komb që kemi të bëjmë me një armik që është shumë perfid. Rasti i 24 shtatorit tregon përfshirjen e drejtpërdrejtë të Vuçiqit dhe qeverisë së tij në sulm. Sa i përket sulmeve unë personalisht nuk pres. Kosova e ka një garancion për mbrojtje të kufirit, e ai garancion është edhe me rezolutë të Kombeve të Bashkuara, mirëpo edhe me prezencë të trupave të KFOR-it”, ka nënvizuar Tahiri.


MË SHUME NGA Lajme