Shtyhet rikthimi i Vedat Muriqit
BKT
Sport

Shtyhet rikthimi i Vedat Muriqit

RTSH

Vedat Muriqit i është ndërlikuar disi situata, pasi mund të mungojë gjatë gjithë muajit janar. Ylli i futbollit të Kosovës pritej të rikthehej javën e ardhshme në fushën e blertë, pas dëmtimit që e la jashtë fushës së blertë për plot dy muaj.

Mirëpo, rikthimi i sulmuesit të njohur ndryshe me nofkën “Pirati”, që pritej të ndodhte më 13 janar kundër Celta Vigos duket se do të mbetet vetëm dëshirë.

Mediat spanjolle raportojnë se 29-vjeçari nuk ndihet ende i gatshëm për t’u rikthyer. Madje, ato shtojnë se lojtari i Përfaqësueses së Kosovës mund ta humbasë edhe krejt muajin janar.

Edhe trajneri Havier Aguirre e konfirmoi një lajm të tillë në konferencën për shtyp para ndeshjes së të mërkurës me Realin e Madridit. “Nuk besoj se do ta kemi në dispozicion Muriqit gjatë janarit”, deklaroi ai. Futbollistit nga Prizreni iu bënë testet së fundmi dhe ato konfirmuan se dëmtimi i pulpës, i pësuar më 12 nëntor në ndeshjen Kosovë-Izrael, nuk është kaluar në mënyrë të kënaqshme.

Fillimisht parashikohej që Muriqi do të mungonte vetëm 4 deri në 6 javë, por tanimë po rezulton që tërheqja muskulore në stadiumin “Fadil Vokrri” mund ta lë ish-futbollistin e Rizersporit, Fenerbahçes dhe Lacios për gati 3 muaj jashtë fushave të futbollit.

Muriqi është lojtari më i rëndësishëm i Majorkës në 3 sezonet e fundit dhe mungesa e tij është e dukshme tek ekipi ishullor.