Dirigjenti i ndjerë Bajar Berisha kujtohet si ndërtues gjeneratash muzikore
BKT
Kulturë

Dirigjenti i ndjerë Bajar Berisha kujtohet si ndërtues gjeneratash muzikore

M.P. / RTKlive

Sot do të varroset dirigjenti prej të cilit dolën shumë gjenerata të skenës muzikore vendore e ndërkombëtare, Bajar Berisha. Lajmin për vdekjen e tij e kanë konfirmuar familjarët, teksa komuniteti artistik e ka kujtuar me vlerësime për kontributin e tij artistik.

“Profesori Bajar Berisha është një njeri shumë i veçantë në jetën time, në ndërtimin tim profesional, ka qenë profesor i imi gjatë studimeve të mia në Prishtinë, dhe përveç lëndëve që kam studiuar me të ne kemi qëndruar me orë të tëra duke studiuar arie e role të ndryshme, fakt për të cilin do i jem falemnderuese gjithë jetën time. Para se të udhëtoja për Berlin për audicionin tim të parë në Deutsche Oper Berlin unë punova 10 ditë me radhë me profesorin Bajar, dhe pata shumë sukses”, kishte shkruar sopranoja me famë botërore, Elbenita Kajtazi, kohë më parë. 

Në anën tjetër, dirigjenti Memli Kelmendi, ka pasur kritika për mosvlerësim të merituar ndaj profesorit sa ai ishte gjallë.

“Me ikjen e tij më së shumëti ka humbur trashëgimia e muzikës klasike në Kosovë. Por, shpejt profesorit do t'i njihen meritat që është dashur t'i nxirren në pah edhe më herët. E tillë është jeta e një artisti në rrethanat tona”, ka shkruar ai.

Edhe dirigjentja Lirjona Sylejmani e ka kujtuar Berishën me falenderime për mbështetje në karrierën e saj.

“Isha në vitin e dytë e më ftoi të isha asistente e tij në vlerësimin e koristëve në provim, provimi filloi në orën 9, e diku nga ora 3-4 mbasdite pa asnjë çast pushim e ndjeva etjen për ujë. E kam ditë që profesorit Bajar provimet i kanë zgjatë më shumë se 12 orë, po nuk e kam ditë që gjatë asaj kohe as nuk ka ngranë as nuk ka pi, gjithsesi unë e pyeta; Profesor po shkoj të blej ujë për vete, a dëshironi diçka me ngranë ose me pi? Profesori m’shikoi pak i mërzitur e pak i dëshpëruar, tha “ jo Lirjona, mua më mbanë gjallë muzika. Profesori Bajar ka qenë dirigjent e muzicient i veçantë, muzikaliteti i tij, ngjyra e tij orkestrale e lëvizjet e tij aq kuptimplota, do mbeten përgjithmonë në kujtesën time”, ka shkruar Sylejmani.

Berisha kishte qenë udhëheqës artistik-dirigjent i Orkestrës Simfonike të Prishtinës, dirigjoi edhe me Filarmoninë e Beogradit, me Orkestrën Simfonike të Teatrit Kombëtar Kroat të Zagrebit, Orkestrën ‘Camerata” të Prishtinës, Orkestrën dhe Korin e Fakultetit të Arteve.

 


MË SHUME NGA Kulturë