Opozita kërkon zgjedhje; Analistët: Kanë kuptim në tremujorin e parë
Arlinda Sejda / RTK
Me fillimin e vitit 2024, partitë opozitare kanë përmendur mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje. Nga PDK e AAK thonë se shkuarja në zgjedhje nënkupton ruajtjen e raportit me ndërkombëtarët, që sipas tyre, e ka prishur kjo qeveri. Analistët politikë thonë se nëse duhet të shkohet në zgjedhje, atëherë kjo duhet të bëhet në tremujorin e parë të këtij viti.
Faton Avdullahu nga PDK tha se zgjedhjet e parakohshme janë të nevojshme, në mënyrë që Kosova t’i ruajë raportet ndërkombëtare.
"Si Kosovë duhet të gjejmë rrugë se si të dalim nga sanksionet, ia vlen të përmendet çdo ditë se Kosova është nën sanksione dhe kjo qeveri nuk e ka idenë se si të dalim nga kjo gjendje, prandaj duhen zgjedhjet e parakohshme. Kjo qeveri po e dëmton vazhdimisht kualitetin e qytetarëve të Kosovës të cilët janë të zhgënjyer dhe barometri më i mirë për ta matur është migrimi masovik, por çështje tjetër është edhe fati i Kosovës me shumë segmente të rëndësishme, qoftë asociacioni qoftë njohja e të tjera të kësaj natyre shumë vitale”, tha Faton Avdullahu, zëdhënës i PDK-së për RTK-në.
E shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, vlerëson se zgjedhjet duhet të mbahen sa më parë, pasi sipas tij, dëmet janë të mëdha që janë shkaktuar nga kjo qeveri.
“Problem nuk është caktimi i zgjedhjeve, problem është kjo qeveri, e cila është duke i shkaktuar dëme të mëdha Kosovës, është duke e dëmtuar në rrafshim e brendshëm dhe në ekonominë e Kosovës, e cila është në rrafshin më të ulët të vet. Sa më shpejt që shkon kjo qeveri aq më mirë do të jetë për Kosovën dhe për qytetarët e saj”, tha Tahiri për RTK-në.
Nga Vetëvendosje nuk janë përgjigjur rreth kësaj teme. E disa analistë politik i thanë RTK-së se e shohin vitin 2024 si vit zgjedhor, ndërsa këto qëndrime të tyre i ndërlidhin me situatën politike në vend.
Analistët vlerësojnë se zgjedhjet e parakohshme duhet të organizohen në tremujorin e parë të vitit, ndryshe nuk do të ketë kuptim organizimi i tyre deri në afatin e përcaktuar kohor.
“Mundësia e zgjedhjeve këtë vit varet nga avancimi në Asociacion dhe dialog sepse qeveria Kurti nuk mund t'i bëjë ballë presioneve jashtëzakonisht të mëdha këtyre dy aspekteve, ose duhet t'u jap zgjidhje ose duhet të shkojmë në zgjedhje të reja që me anë të një rikonfigurimi të skenës politike të krijohet një kontekst i ri, që të merren vendime të reja por të domosdoshme”, tha Artan Muhaxhiri, analist politik.
E analisti tjetër, Visar Xani konsideron që tash për tash opozitës nuk i konvenojnë zgjedhjet më shumë se sa pushtetit. “Kjo mund të ndodhë për shkak se pushteti i ka numrat dhe mund të kalkulojë në shumë aspekte, ndërsa opozita ende nuk e ka gjetur rrugën e saj opozitare. Ajo është e përçarë brenda partive të veta. Ka rrugë të gjatë për të bërë reforma dhe gjithë këto papërgatitje i konvenojnë vetëm partisë më të madhe në pushtet", tha ai.
Tutje, sipas analistëve, zgjedhjet e reja duhet ta ndryshojnë strategjinë, mundësinë e përfshirjes së Asociacionit, teksa shtuan se një qeveri e re duhet të jetë më realiste sa i përket kërkesave të ndërkombëtarëve për realizimin e shpejtë të Asociacionit dhe arritjen e marrëveshjes me Serbinë.























