Abbott për Cameron: Dëgjoi dëshmitë prekëse të familjes së të zhdukurve
M.P. / RTKlive
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovës, Nicholas Abbott, ka deklaruar se vizita e diplomatit britanik, David Cameron, ka rikonfirmuar edhe një herë mbështetjen e këtij shteti ndaj sovranitetit, sigurisë dhe prosperitetit të Kosovës.
Në mesin e takimeve të Cameronit, ai ka veçuar atë me të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe familjarëve të personave të zhdukur në luftën e fundit me shtetin serb.
“Isha veçanërisht i kënaqur që Lord Cameron ishte gjithashtu në gjendje të dëgjonte dëshmitë prekëse të anëtarëve të familjes së të zhdukurve, si dhe takimin me një të mbijetuar të dhunës seksuale të lidhur me konfliktin. Ai dëgjoi nga dora e parë për rëndësinë e mbështetjes së qëndrueshme për të mbijetuarit dhe trajtimin e stigmës, si dhe nevojën urgjente për të zhbllokuar bashkëpunimin rajonal për personat e zhdukur për t'u siguruar familjeve të të zhdukurve mbyllje dhe llogaridhënie”, ka shkruar Abbott.
Tutje ai ka thënë se Cameron ka theksuar se dialogu është e vetmja zgjidhje për mosrikthimin e një konflikti eventual.
“Të gjitha këto takime nënvizuan pse, në një kohë kaq të vështirë globalisht, ne duhet të parandalojmë rikthimin e konfliktit në rajon. Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur arritjet e arritura përmes paqes dhe dialogut. Siç e bëri të qartë Lord Cameron në takimet e tij, nuk ka alternativë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura përveçse nëpërmjet dialogut dhe zbatimit të plotë të marrëveshjeve të mëparshme”, ka shkruar ambasadori britanik.
David Cameron gjatë qëndrimit të tij në Kosovë ka realizuar takime të rëndësishme me liderët shtetëror, si me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, homologen e tij Gërvalla si dhe me komandantin e KFOR-it në Kosovë.























