Kurti: Pasaportës po i shtohet vlera, e shtetit dinjiteti
Sh.Ç /RTKlive
Kryeministri Albin Kurti ka uruar qytetarët pasi që Spanja ka njohur pasaportat e Kosovës.
Kryeministri Kurti ka thënë se 2024 është vit i fuqizimit të pasaportës së Republikës dhe se asaj sa vjen e po i shtohet vlera, e shtetit tonë dinjiteti
"Viti 2024 është vit i fuqizimit të pasaportës së Republikës sonë. Asaj sa vjen e po i shtohet vlera, e shtetit tonë dinjiteti. Nga janari, Spanja u është bashkuar shteteve të Bashkimit Evropian që e njohin pasaportën e Kosovës. Gëzuar!”, ka shkruar Kurti në Instagram.
Gjatë ditës, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar se edhe Spanja i është shtuar listës së vendeve që njeh pasaportat e Kosovës. Sipas tij, tani mund të udhëtohet pa viza edhe drejt këtij shteti.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë se Drejtoria e Përgjithshme për Migrim dhe Punët e Brendshme të Bashkimit Evropian (DF Home) ka njoftuar se Spanja i njeh pasaportat e Kosovës.
Spanja ka njohur pasaportat e Kosovës, duke u mundësuar qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë pa viza edhe në këtë shtet, sipas një dokumenti të publikuar më 5 janar në ueb-faqen e Departamentit për Migrim dhe Çështje të Brendshme të Komisionit Evropian.
Në dokumentin e publikuar thuhet se “nga 1 janari, Spanja njeh pasaportat e zakonshme të lëshuara nga Kosova”.
“Kjo nuk nënkupton në asnjë formë njohje zyrtare të Kosovës si shtet i pavarur”, thuhet në dokument.
Që nga 1 janari, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike mund të udhëtojnë në shtetet e zonës Schengen, pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.























