Arrestohen 13 persona nga aksioni i Prokurorisë Themelore në Prishtinë
Elimina Osmani&Arlinda Sejda/RTK
(E plotësuar, 18:25) Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një njoftimi ka bërë të ditur se në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion ka arrestuar 13 persona të dyshuar, 12 prej të cilëve zyrtarë të ATK-së dhe një pronar i një biznesi.
“Në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, sot ka realizuar një aksion, me ç ‘rast janë kontrolluar dhe bastisur dy (2) lokacione, përkatësisht në qytetin e Podujevës dhe Prizrenit, ku fillimisht janë arrestuar trembëdhjetë (13) persona të dyshuar, dymbëdhjetë (12) prej tyre zyrtarë të ATK-së një (1) pronar i një biznesi”, njofton Prokuroria.
Sipas njoftimit, personat me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., zyrtarë të ATK-së, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 419 i KPRK-së, ashtu që të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milionë euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të pandehurit të B.B. dhe B.B ( të cilët janë në kërkim) pronarë të një biznesi në Podujevë, e që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi” dhe si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milionë euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur.
“Andaj, B.B., F.P. dhe B.B., pretendohet se me veprimet e tyre e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 2.8 milionë euro. Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarve në kohëzgjatje prej 48 orësh, si dhe për të njëjtit do t’i ndërmerre veprimet e mëtejme ligjore. Ndërsa, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara tek i pandehuri F.M janë gjetur dhe konfiskuar një sasi armësh, tri të gjata, tri të shkurtra, pajisje elektronike, telefon e prova të tjera materiale. Prokuroria në koordinim me policinë do të vazhdojë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast”, thuhet tutje në njoftim.
Policia po kryen bastisje ndaj tre ose katër zyrtarëve të ATK-së
Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nga Departamenti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, Policia e Kosovës është duke kryer bastisje në Prizren.
“Bastisjet po bëhen ndaj tre ose katër zyrtarëve të ATK-së, të cilët dyshohen për kryerje të veprave penale: Shmangie e tatimit, mashtrim në detyrë e të tjera”, bëhet e ditur ekskluzivisht për RTK-në nga burimet brenda Policisë së Kosovës.
Ndërsa, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj ka theksuar se Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës janë duke zhvilluar aksion në disa lokacione në Kosovë, nën dyshimin për kryerje të disa veprave penale.
Ajo ka bërë të ditur se aksioni ka nisur nga mëngjesi dhe po heton dyshimet për kryerjen e veprave penale “Mashtrim në detyrë”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangia nga tatimi” nga persona zyrtarë e qytetarë.
“Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, njofton se nën udhëheqjen e kësaj prokurorie, më konkretisht nga Departamenti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në koordinim të plotë me Policinë dhe pas aprovimit të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, është duke u zhvilluar një aksion që nga mëngjesi, përfshirë disa lokacione në nivel në Kosovës, mbi dyshimin e kryerjes së veprave penale nga persona zyrtarë e qytetarë, më konkretisht dyshim mbi kryerjen e veprave penale “Mashtrimi në detyrë”, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangia nga tatimi”. Prokuroria Themelore në Prishtinë do t’iu njoftojë me kohë për zhvillimet nga ky aksion, pasi të mbarojë i tëri”, ka theksuar Ulaj.























