Prokuroria e gatshme t’i luftojë operatorët ilegalë të kanaleve televizive
E. Hoti / RTKlive
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi ka pritur në takim përfaqësuesit e operatorëve të shërbimeve elektronike dhe Këshillit të Pavarur të Mediave (KPM). Ai ka shprehur gatishmërinë e tij dhe institucionit që përfaqëson për trajtim të rasteve që kanë të bëjnë me parandalimin dhe luftimin e shërbimeve ilegale të internetit dhe kanaleve televizive.
Sipas njoftimit nga Prokuroria e Shtetit, në këtë takim, temë e diskutimeve të përbashkëta ishte parandalimi dhe luftimi i veprimeve të operatorëve ilegalë, të cilët në mënyrë të kundërligjshme dhe përmes ndërhyrjes së paautorizuar janë duke kryer – ofruar shërbime ilegale të internetit dhe TV Kanaleve brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Kelmendi ka kërkuar mbështetjen e të gjithë operatorëve të licencuar që të bashkëpunojnë me prokurorinë për identifikimin e të gjitha veprimtarive ilegale.
“UD i kyeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi ka shprehur gatishmërinë e tij dhe institucionit që përfaqëson për trajtim e shpejtë dhe profesional të rasteve që kanë të bëjnë me parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie, si dhe ka kërkuar mbështetjen e të gjithë operatorëve të licencuar që të bashkëpunojnë me prokurorinë për identifikimin e të gjitha veprimtarive ilegale, për çka operatorët janë zotuar se do të ofrojnë një mbështetje të tillë”, thuhet në njoftim.























