IKD: Kosova pa Strategji kundër Korrupsion
BKT
Foto:Ilustrim
Lajme

IKD: Kosova pa Strategji kundër Korrupsion

M.Sh/RTKlive

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka publikuar të mërkurën analizën “Kosova pa Strategji kundër Korrupsion, ku ka paraqitur sfidat dhe dështimet me të cilat është ballafaquar qeveria në luftën kundër korrupsionit. Në raportin e mbështetur nga NED dhe RBF, IKD thotë se luftimi i korrupsionit ka qenë njëra prej premtimeve kryesore me të cilat ka ardhur në pushtet Lëvizja Vetëvendosje.

“Drejtësi dhe Punësim, ishte sllogani kryesor i kësaj partie gjatë fushatës elektorale. Kur Qeveria Kurti II po bënë tri vite që nga ardhja në pushtet, reformat e mëdha si Vetingu në Sistemin e Drejtësisë, Reforma në sistemin prokurorial, reforma në drejtësinë civile përmes miratimit të Kodit Civil etj, ende nuk janë jetësuar”, konsideron IKD.

Edhe përkundër faktit se Qeveria Kurti II luftimin e korrupsionit e kishte proklamuar si qëllimin kryesor, në fundin e vitit të tretë të qeverisjes, sipas IKD-së, Kosova ende nuk ka një Strategji për Luftimin e Korrupsionit. Dhe se publiku, sipas këtij instituti, ende nuk e ka të qartë se cila do të jetë rruga që Qeveria do të ndjek në raport me luftimin e korrupsionit në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive që kjo qeveri ka në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. 

“Mungesa e kësaj Strategjie për një kohë kaq të gjatë dhe dështimi i grupit punues për të hartuar një dokument të bazuar në ligjin e aplikueshëm në Kosovë, dhe i cili dokument nuk ndërhyn në pavarësinë dhe integritetin e institucioneve të pavarura, ndërton bindjen se vet qeveria dhe grupi punues kanë probleme serioze për të kuptuar kompetencat e tyre dhe për të përmbushur obligimet që dalin nga Programi i Qeverisë për luftimin e korrupsionit”, thuhet në raportin e IKD-së.

IKD rikujton se Ligji Nr.08/L-017 për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit ka hyrë në fuqi në Gusht të vitit 2022.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 22 shkurt 2023 kishte marrë vendim për themelimin e strukturave për hartimin e Strategjisë Shtetërore dhe Planit të Veprimit kundër korrupsionit. Kjo strukturë përbëhej prej Komisionit Ministror, Koordinatorit dhe Grupit punues. Me ç’rast grupi punues përbëhej prej akterëve të rëndësishëm shtetëror, duke përfshirë dhe agjencitë e pavarura dhe institucionet tjera sipas nevojës. Ky grup punues, sipas këtij vendimi, duhej ta draftonte këtë Strategji deri më 1 dhjetor 2023”, kujton IKD.

Sipas këtij raporti, as pas datës 1 dhjetor 2023, kjo strategji nuk është finalizuar.


MË SHUME NGA Lajme