14:24 / 10.01.2024
Aktakuzë kundër 27 personave për kontrabandim të migrantëve
B. H. | RTKlive
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin Special, kundër njëzet e shtatë të pandehurve.
Në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhet se aktakuza ndaj këtyre të pandehurve është ngritur për shkak se të njëjtit në tërë territorin e Kosovës, në bashkëveprim në mes vete janë marrë me veprimtarinë e kundërligjshme të ‘’Kontrabandimit të migrantëve’’, kryesisht shtetasve sirianë, ku i është mundësuar më shumë se shtatëqind (700) personave kalimi nga Republika e Shqipërisë përmes territorit të Kosovës dhe kalimi i tyre në Republikën e Serbisë, e që qëllim kishin shkuarjen në vendet evropiane.























