Jasharaj me kritika ndaj Nagavcit për mostakim dhe testim të mësimdhënësve
BKT
Lajme

Jasharaj me kritika ndaj Nagavcit për mostakim dhe testim të mësimdhënësve

M.P. / RTKlive

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj, nëpërmjet një komunikate për media ka kritikuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci për disa çështje.

Jasharaj ka kundërshtuar faktin e testimit të mësimdhënëseve, duke deklaruar se “sa të ketë SBASHK nuk  do të ketë test me shkrim për njohuritë e tyre”.

“Në  prillin e vitit të kaluar ishte vendosur të shpallej ftesa për trajnime dhe ishte vendosur që deri atëherë trajnimet  që janë në proces të vazhdonin, por zonja Nagavci  kishte ndalur këtë  mundësi. Një vit e më shumë kaluan dhe ende nuk është saktësuar se cilat trajnime do të licencohen  dhe nuk dihet se cilat do të licencohen sepse përfaqësuesi i punëtorëve të arsimit nuk është në Këshillin  Shtetëror të Licencimit të Mësimdhënësve. Nuk është në këtë Këshill sepse i ka penguar zonjës Nagavci e të tjerëve që kanë dashur ta nënçmojnë mësuesin e ta mbajnë nën  tensionin e të ashtuquajtur test”, ka shkruar ai.

Tutje sipas komunikatës, ministrja Nagavci ka refuzuar të takohet me kryesinë e SBASHK-ut pavarësisht kërkesave të tyre.

“Kam kërkuar publikisht tani e sa muaj takime me ministren Nagavci për të shpalosur kërkesat e punëtorëve të arsimit, por ajo e mban e vazhdon ta mbaj inatin për grevën dhe nuk pranon takime. Punëtorët e arsimit duhet  të dinë edhe ca të vërteta të tjera  nga 'miqësia' për ta e ministres Nagavci. Ajo kurrë, edhe pse e kishim lutur të bëhet zë i arsimit në Qeveri, nuk e tha as edhe një fjalë për kushtet e punës me shkumës e shpuzë. Ajo kurrë nuk kundërshtoi ngritjen ironike të koeficientit nga 105 në 110 euro, që në arsim shton zhgënjimin dhe arsye për ta lënë këtë profesion, ngase rritja është nënçmuese për vetëm 28 euro”, theksohet tutje në komunikatën e kryetarit të SBASHK-ut.


MË SHUME NGA Lajme