‘Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës’ drejt Pavilionit në Venedik
M.P. / RTKlive
Pavilioni i Kosovës në Biennalen e Venedikut ka nisur me fushatën informuese ndaj publikut për artistet të cilat do ta prezantojnë vendin në edicionin e 60-të të kësaj ngjarjeje.
“Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” quhet vepra e cila do të rrugëtojë sivjet në ekspozitën ndërkombëtare të artit, si prezantim i punës së artistes Doruntina Kastrati, kuratores Erëmirë Krasniqi dhe komisioneres Hana Halilaj.
Arti i Doruntina Kastratit është i përqendruar në skulpturë, instalacion dhe imazhe lëvizëse. Puna e saj së fundmi është shfaqur në Manifesta 14, Prishtinë, në Muzeun Hessel në Nju Jork, në Cyrih, në ChertLüdde në Berlin, Paris, Hamburg.
“Praktika e saj kuratoriale dhe hulumtuese ndërthuret me arkivat, historinë gojore dhe fabulimet kritike për të krijuar prani dhe korrigjuar mungesat në rrëfimet historike. Interesimet e saja kërkimore variojnë nga historitë e artit modern socialist deri tek dijet jo zyrtare që kontribuojnë në sfidimin e narrativave dominante historike”, thuhet në njoftimin e Pavilionit për Krasniqin.
Komisionerja Hana Halili ka qenë kuratore në disa ekspozita duke përfshirë Galerinë Kombëtare të Kosovës, Galerinë Dozza, Muzeun e Artit Hessel, teksa edhe ka qenë Asistent Kuratore në CuratorLab në Universitetin e Arteve Konstfack, në Stokholm.























