Osmani: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat për BE
BKT
Në Fokus

Osmani: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat për BE

M.P. / RTKlive

(E plotësuar) Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar.

Sipas njoftimit të Presidencës në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike dhe të fushës së sigurisë, interesat e përbashkëta dhe zgjerimin e mundësive për rritjen e bashkëpunimit.

“Me këtë rast u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Irlandës, teksa presidentja Osmani falënderoi kryeministrin Varadkar për mbështetjen e palëkundur në përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe zhvillim ekonomik”, thuhet në njoftim.

Po ashtu presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e Irlandës në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Tutje, ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj mbështetje drejt anëtarësimit final në Këshillin e Evropës, BE, por edhe në organizata  ndërkombëtare.

“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe mundëson mbrojtje të avancuar të të drejtave të njeriut”, ka theksuar  Osmani.

Më tej, sipas njoftimit të Presidencës, e para e shtetit ka theksuar se është koha që edhe raportet e Kosovës me BE-në duhet të ngrihen në nivel tjetër.

“Kosova e meriton statusin e vendit kandidat. Kosova mishëron vlerat evropiane, ndaj, në këtë frymë ka pas angazhim të vazhdueshëm që legjislacioni ynë është në harmoni me ligjet e BE-së. Është momenti i duhur që ta marrim statusin e vendit kandidat”, është shprehur presidentja Osmani.

Në raport me zhvillimet e fundit në vend, presidentja Osmani theksoi se Kosova tashmë ka bërë hapa përmbajtësor në deeskalimin e situatës në veriun e vendit, ndaj i cilësoi masat e BE-së, joproporcionale dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani shprehu mirënjohje për qëndrimin e Irlandës kundër këtyre masave dhe përsëriti thirrjen për heqjen e tyre, ngase masat aktuale në fuqi kundër Kosovës janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog.

Gjithnjë sipas njoftimit të Presidencës, sa i përket situatës së sigurisë, Osmani tha se mungesa e masave kundrejt Serbisë në lidhje me sulmin terrorist dhe aktin e agresionit të 25 shtatorit në Bansjkë vetëm se e inkurajon atë për të bërë sërish veprime të ngjashme, që cenojnë jo vetëm stabilitetin e Kosovës, por  edhe rajonin.

Presidentja Osmani dhe kryeministri  Varadkar theksuan rëndësinë e bashkëpunimit në adresimin e sfidave globale dhe nxitjen e zhvillimit në të gjitha sferat e interesit të përbashkët, me fokus të veçantë në fushën e arsimit dhe shëndetësisë.

Osmani nga takimi me Varadkar: Kosova e ka vendin afër jush në BE

Presidentja Vjosa Osmani ka shpërndarë një video të takimit me kryeministrin irlandez, Leo Varadkar.

Ajo ka shkruar se vizita e tij rikonfirmon miqësinë dhe është shenjë e bashkëpunimit të dy shteteve, të cilat kanë shumë të përbashkëta.

“Kosova ka vendin e vet afër juve në Bashkimin Evropian, në Këshillin Evropian, dhe në organizatat tjera ndërkombëtare. Ky është një kontribut jo vetëm për shtetin dhe kombin tonë, por më e rëndësishmja për stabilitetin dhe paqen që jeton gjatë”, ka shkruar Osmani.


MË SHUME NGA Në Fokus