Kryeministri irlandez në EULEX, njoftohet për sigurinë në Kosovë
M.Sh/RTKlive
Gjatë vizitës në Kosovë, kryeministri i Republikës së Irlandës, Leo Varadkar qëndroi edhe në zyrat e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), ndërsa me shefin e këtij misioni, Giovanni Pietro Barbano, ka diskutuar për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë.
Varadkar dhe Barbano inspektuan një gardë të nderit, që përbëhet prej pjesëtarëve të Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it dhe të Njësive Policore të Specializuara Rezervë, njofton zyra për informim e EULEX-it.
“Ishte nderë që prita në vizitë (Taoiseach) Varadkar në EULEX dhe që pata rastin për të falënderuar Irlandën për mbështetjen e fuqishme dhe të gjatë dhënë Misionit, si përmes shërbimit të përkushtuar të pjesëtarëve irlandezë të stafit, që përfshinë edhe në pozita të larta”, tha Barbano.
Gjatë vizitës, Varadkar bashkëbisedoi me Barbanon për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe u informua rreth mandatit dhe aktiviteteve të EULEX-it nga zëvendësshefin e këtij misioni, Cezary Luba. Tutje, Varadkar takoi dhe bisedoi me pjesëtarët e kontingjentit irlandez në EULEX-it, njofton Zyra për informim e këtij misioni.























