Javën tjetër mbahet Forumi Ekonomik në Davos, marrin pjesë Kurti dhe Vuçiqi
A.B/RTKlive
Javën që vjen fillon Forumi Ekonomik Botëror që do të mbahet në Davos të Zvicrës, i cili do të zgjasë deri më 19 janar.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka bërë të ditur se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të jenë pjesë e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Përmes një postimi në platformën X, Rohde ka bërë të ditur se javën tjetër do të nisë Forumi Ekonomik Botëror në Davos.
Sipas tij, nga të gjitha temat relevante, arritja e sigurisë dhe bashkëpunimit në një botë të ndarë, në veçanti reflekton për Kosovën, për dialogun Kosovë-Serbi dhe të të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ai theksoi se është i kënaqur që do të shohë se Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq do të jenë prezentë aty.

Ndryshe takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror këtë vit ka temën ‘Rindërtimi i besimit" dhe mbahet nga 15–19 janar 2024.
Takimi i 54-të vjetor i Forumit Ekonomik Botëror do të ofrojë një hapësirë vendimtare për t'u fokusuar në parimet themelore që nxisin besimin, duke përfshirë transparencën, qëndrueshmërinë dhe llogaridhënien.
Ky takim vjetor do të mirëpresë mbi 100 qeveri, të gjitha organizatat kryesore ndërkombëtare, 1000 partnerë të Forumit, si dhe drejtues të shoqërisë civile, ekspertë, përfaqësues të rinjsh, sipërmarrës socialë dhe media.























