`Ndize një qiri për viktimat e gjenocidit në Kosovë`, marshi më 15 janar
BKT
Lajme

`Ndize një qiri për viktimat e gjenocidit në Kosovë`, marshi më 15 janar

N.M. /RTKlive

`Ndize një qiri për viktimat e gjenocidit në Kosovë` është thirrja e marshit të së hënës nga ora 19:30. Kështu njofton Adnan Asllanin, nga Qendra "Gjenocidi në Kosovë - plagë e hapur" e cila është organizatore.

Asllani, në emisionin “Info Plus” në RTK, tha se viti 2024 shënon një çerek shekulli të gjenocidit mbi shqiptarët e Kosovës, të cilin e kanë zbatuar forcat serbe, gjatë luftës së fundit.

“Vitet 1998 -1999 ishin vitet më të vështira për popullin shqiptarë, u vranë mbi 10mijë vetë, mbi 20 mijë femra e meshkuj u përdhunuan seksualisht, u ndoqën nga Kosova më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare, dhe u shkatërruan objekte të kulturës e të banimit”, tha ai.

Asllani thotë se edhe këtë vit, sikurse edhe viteve tjera, kanë bërë ftesë që institucionet qendrore e lokale të Kosovës, partitë politike, organizatat joqeveritare e të gjithë qytetarët, që këtë çerekshekull të gjenocidit mbi popullin shqiptar, ta shënojnë në mënyrë sa më të dinjitetshme, duke treguar përgjegjësi të lartë shtetërore e qytetare.

“Më 15 janar, pikërisht në ditën që Kuvendi i Kosovës e ka caktuar si ditën e përkujtimit të viktimave të gjenocidit, në sheshin „Skënderbeu“ në Prishtinë, aktivistët e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë eHapur” do të bëjnë ndezjen e qirinjve. Ftohen qytetarët e Prishtinës që të bashkëngjiten në këtë aktivitet”, tha pos tjerash Asllani, duke sqaruar simbolikën e lulëkuqes që mbanë në kraharor.

“Lulëkuqja përmban disa simbolika që paraqesin vuajtjet e popullit shqiptar të shkaktuara nga regjimi serb”, tha ai.

Asllani tha se ata që nuk kanë mundësi të dalin në shesh, këtë ta bëjnë në ballkonet apo dritaret e tyre dhe se edhe qytetarët e qyteteve tjera, me vetiniciativë mund ta bëjnë ndezjen e qirinjve në sheshet kryesore të qyteteve dhe të fshatrave të tyre.

 


MË SHUME NGA Lajme