Nëna e 10-vjeçares: Po mundohemi që sa ma shpejt ta dërgojmë në Suedi
Albulena Bytyqi | RTK Radio
(E përditësuar) Një nga personat e lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit që ndodhi dje në Kçiq të Mitrovicës, pritet të transferohet për në Suedi. Mjekët në kujdesin intensiv kanë thënë për Radio Kosovën se bëhet fjalë për një fëmijë 10 vjeçar, i cili është në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e djegieve të mëdha.
Pacientet të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK nga shpërthimi i një bombole të gazit dje në fshatin Kçiq të Mitrovicës, po trajtohen aktualisht ne QKUK. Agreta Gashi, doktoreshë e kujdesit intensiv në QKUK, ka thënë për Radio Kosovën se katër pacientë janë në gjendje me të rëndë, dhe po trajtohen në mjekim intensiv. Ajo ka potencuar se njëri nga fëmijët i moshës 10 vjeçare, pritet që të transferohet në një qendër të specializuar për djegie në Suedi, pasi që fëmija ka nënshtetësi suedeze.
“Nga 15 pacientët të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK, katër nga ta, të cilët kanë qenë në gjendje më të rëndë, janë transferuar në mjekim intensiv për trajtim të mëtutjeshëm. Prej katër pacienteve në intensiv, dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë, ndërsa dy të tjerët janë në gjendje më stabile. Sot kemi kontaktuar me mjekët nga Suedia, pasi që fëmija ka nënshtetësi suedeze dhe ata kanë shfaqur interesim për gjendjen e tij. Shpresojmë që sot gjatë ditës të transferohet në një qendër të specializuar për djegie në Suedi”, ka theksuar doktoresha Gashi.
Alije Fejzullahu, nëna e vajzës dhjetëvjeçare, mes lotësh ka treguar për Radio Kosovën se si ka ndodhur ngjarja në familjen e saj derisa po hanin drekë. Ajo thotë se vajzën aktualisht e ka në kujdes intensiv dhe që sot nuk e ka parë ende që nga nata e mbrëmshme.
“Familja kanë qenë në bodrum duke ngrënë dreke. Unë kam qenë një kat tjetër të shtëpisë duke u përkujdesur për nënën e sëmurë së bashku me kunatën. Kemi dëgjuar një shpërthim të fortë. Vajzën 10 vjeçare e kam në intensiv, vetëm mbrëmë e kam parë, sot kam e kam parë ende. Vajza ka nënshtetësi suedeze dhe po mundohemi që sa ma shpejt ta dërgojmë në Suedi për mjekim”, rrëfen mes emocionesh nëna e dhjetë vjeçares, Alije Fejzullahu.
Edhe nipi i familjes Brahimi nga Kçiqi i Mitrovicës, ka treguar për Radio Kosovën se gjendja e familjareve të tij është e rëndë. Ai thotë se ka arritur t`i shoh deri më tani vetëm familjarët të cilët janë me lëndime më të lehta.
“Gjendjen familjarët e kanë të rëndë. Unë kam arritur t`i shoh vetëm këta çka janë me një gjendje më të lehtë. Ndërsa, ata të cilët janë në intensivë nuk i kam parë ende, por sipas informatave nga mjekët ata janë me një gjendje të rëndë”, thekson ai.
Edhe Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin e shpërthimit të bombolës së gazit në një shtëpi në Kçiq të Mitrovicës, ku si pasojë mbetën të lënduar 14 persona me djegie ndërkaq njëri është lënduar në gjoks thuhet në raportin 24 orësh.
E lënduara në Kçiq do të dërgohet në Suedi për mjekim
Elmina Osmani | RTK
(E përditësuar) Njëra nga 14 të lënduarit e shpërthimit në Kçiq, sipas familjarëve pritet që gjatë ditës të dërgohet në Suedi, pasi që ajo ka nënshtetësi suedeze.
Të tjerët po trajtohen në Klinikën e Kirurgjisë Plastike. Tre nga ta janë në gjendje më të rënduar në mjekim intenziv, transmeton RTKlive.
Mjekët në Klinikën e Kirurgjisë Plastike nuk kanë dashur të deklarohen para medieve.
Sipas burimeve jo zyrtare të RTK-së pritet që të lënduarit gjatë ditës t’i vizitojë sërish kryeministri, Albin Kurti.
RTK në Kçiq, shpërthimi ndodhi nga bombola 4-litërshe
Një rast i rëndë ka ndodhur të shtunën në fshatin Kçiq të Mitrovicës, ku 14 anëtarë të një familjeje janë prekur nga shpërthimi i një bombole gazi 4-litërshe në shtëpinë e tyre. Ngjarja ka lënë pas një numër të konsiderueshëm të lënduarish dhe ka shkaktuar dëme materiale.
Ekipi i RTK-së qëndruar sot në vendngjarje dhe ka parë pasojat e kësaj ngjarjeje. Shpërthimi ka ndodhur në shtëpinë e Burhan Brahimit, duke shkaktuar dëme të mëdha në strukturën e shtëpisë dhe rreth saj.
Sipas një familjari të afërm, tre anëtarë të familjes kanë marrë lëndime të rënda, ndërkaq të tjerët lëndime më të lehta. E në fakt, katër nga 14 të lënduarit e këtij shpërthimi që nga dita e djeshme ndodhen në kujdesin intensiv në QKUK, derisa të tjerët janë transferuar në klinika të ndryshme në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm.
Qytetarët e lënduar gjatë mbrëmjes së kaluar i kanë vizituar kryeministri Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza.
Ata kanë shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tyre ndaj familjeve të prekura nga ky shpërthim, derisa pacientëve u kanë uruar shërim të shpejtë. Po ashtu, kanë falënderuar stafin mjekësor për reagimin e shpejtë dhe shpëtimin e jetëve, teksa kanë kërkuar më shumë siguri në përdorimin e bombolave të gazit si dhe masat e nevojshme për parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

























