Në pritje të gjetjes së eshtrave të familjarëve të vrarë nga Serbia
Islam Haxhiu / RTK
Masakra e Reçakut ishte vetëm paralajmërim i fillimit të tragjedive të tjera në Kosovë. Regjimi kriminal i Serbisë kreu edhe shumë të tjera mbi civilët shqiptarë. Shumë prej tyre ende janë edhe të pagjetur.
Gjakova dhe banorët e saj janë një nga komunat që pësoi rëndë nga krimet serbe, me mbi 1200 të vrarë, shumë nga ta ende të pagjetur.
Një prej tyre që ende e kërkon djalin, është Nusrete Kumnova. Së shpejti bëhen 25 vjet nga Masakra e Çabratit, kohë kur Albioni, atëherë vetëm 20 vjeç, u rrëmbye nga forcat serbe, për të mos iu gjetur ende, bashkë edhe me 50 të tjerë.
Ka kaq vjet, që nënë Nusretja e kërkon të birin e vetëm. Ajo ka humbur shpresat se do të gjejë të gjallë. Prandaj, në Kompleskin Përkujtimor në Çabrat, ka varrin e zbrazët. Ajo shkon aty dhe përkëdhel gurin që bartë emrin e tij, me shpresën se një ditë do t'i vijë fundi edhe kësaj pritjeje të gjatë.
“Në mesin e tyre e kam edhe djalin Albionin, i cili ka lind pas dy vajzave. Sot e atë ditë nuk e di vendndodhjen e Albionit, flasim edhe në gjumë me ta. Po ju bëj thirrje institucioneve t’i kërkojnë, të na i kthejnë sepse ata të cilët na i kanë rrëmbyer kanë emër dhe mbiemër”, ka thënë Nesrete Kumnova.
Pritja e ngjashme po e vret çdo ditë edhe familjen Dervishi në Orize, që ende nuk e kanë gjetur djalin, të ekzekutuar barbarisht në Mejë. Kjo është ndër masakrat më të mëdha në Kosovë.
“Fjalët e fundit të babait, prindit tim, tha ‘mbet ai djal, s’po dihet asgjë për të’ sepse e ka munduar (dhimbja) vazhdimisht. Të gjithë jemi të brengosur. Tani djali i vëllait po i bën 18 vjet që e mban emrin e tij. Ne ende nuk dimë për fatin e tij, në çdo përvjetor grumbullohemi me vëllezër, motra, por e kemi një varr të zbrazët”, ka thënë Afrim Dervishi, babai i një të pagjeturi.
Përfundimi i luftës '98/'99 në Kosovë, Gjakovën e gjeti me mbi 1,200 persona të vrarë dhe me masakrat ndër më të tmerrshmet të kryera nga forcat serbe mbi shqiptarët.























