Gjashtë vjet nga vrasja e Oliver Ivanoviqit
A.B/RTKlive
Sot bëhet gjashtë vjet nga vrasja e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.
Në përvjetorin e vrasjes së Ivanoviqit ka shkruar edhe Jakub Bielamowicz, analist i Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor në Institutin e Evropës së Re.
“Sot është përvjetori i gjashtë i vrasjes së Oliver Ivanoviqit, një lider i shquar opozitar serb i Kosovës dhe kritik i zëshëm i regjimit të Vuçiqit. Në vitin 2017, ai i kërkoi një gazetari të kujtonte një emër, Radoiçiq i cili më vonë do të bëhej i njohur si orkestruesi kryesor i vrasjes së tij dhe sulmit terrorist në Banjskë të vitit 2023. Vrasja e Ivanoviqit ishte vrasja më e profilit të lartë e një politikani ballkanik që nga vrasja e kryeministrit të Serbisë Zoran Gjinxhiq në vitin 2003”, ka shkruar ai në platformën ‘X’.
Ndryshe Oliver Ivanoviq, kishte themeluar dhe po drejtonte Iniciativën Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, subjekt ky kryesor opozitar serb në Mitrovicën e Veriut. Ai u vra më 16 janar të vitit 2018.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur tri aktakuza deri më tash për vrasjen e Ivanoviqit, ku e para ishte ngritur më 2 dhjetor të vitit 2019.























