Hasani: Sulmi i 24 shtatorit kërcënim për rajonin, autorët para drejtësisë
BKT
Foto/ Edina Avdiu/RTK
Lajme

Hasani: Sulmi i 24 shtatorit kërcënim për rajonin, autorët para drejtësisë

Medina Pasoma / RTKlive

Ministrat e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë, Donika Gërvalla dhe Igli Hasani kanë bërë thirrje për ndëshkim ndërkombëtar ndaj autoriteteve të Beogradit, si urdhërues të sulmit të 24 shtatorit në Banjskë.

Gërvalla mos ndëshkimin e Serbisë nga shtetet perëndimore e ka cilësuar si rrezik për përsëritje të këtij akti terrorist.

Ajo theksoi se gjatë takimit e njoftoi ministrin Hasani më në detaje për situatën në veri, duke theksuar se bashkësia ndërkombëtare pa vonesë të dalë me një qëndrim të qartë rreth asaj që ka ndodhur në Banjskë dhe të sanksionojë agresorin.

"Mungesa e ndëshkimit bart në vete rrezikun e përsëritjes, prandaj jo vetëm për hir të paqes të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, por sidomos për hir të paqes dhe stabilitetit afatgjatë në gjithë rajonin, bashkësia ndërkombëtare duhet të mos mbetet e heshtur, por të ndëshkojë ashpër çdo tentativë për destabilizim të vendeve fqinje”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka falënderuar ministrin Hasani për prezencën në varrimin e heroit të Kosovës që u vra në sulmin e 24 shtatorit, Afrim Bunjakut.

“U dakorduam me Iglin gjithashtu që bashkërisht të angazhohemi për informimin dhe sensibilizimin e organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut rreth arrestimeve të qytetarëve të Kosovës nga Serbia për t’u kthyer në vendet ku banojnë dhe njëkohësisht lobimin tonë për lirimin sa më të shpejtë të tyre”, ka thënë Gërvalla.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani ka thënë se sulmi i 24 shtatorit, ka qenë kërcënim për rajonin dhe Evropën.

“Ky sulm ishte një akt kriminal dhe i rrezikshëm, kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë, ligjit dhe rendit të Kosovës. Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit për Evropën tonë të përbashkët. Autorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë. Tani më shumë se kurrë është e nevojshme që të gjitha vendet e forcat që besojnë te paqja e stabiliteti, te bashkëpunimi dhe integrimi euro-atlantik të punojnë së bashku për të mirën e rajonit tonë”, ka thënë Hasani.

Ai ka uruar Kosovën për heqjen e vizave, duke thënë se është vendim i rëndësishëm jo veç për qytetarët e vendit por për gjithë Ballkanin Perëndimor. Ka thënë se janë të gatshëm të vazhdojnë mbështetjen ndaj Kosovës për anëtarësim në familjen euro-atlantike.

“Shqipëria e Kosova duhet të jenë zemër e përpjekjes si dy vende e një popull, që më shumë se kushdo tjetër e mbështesin perspektivën euro-atlantike”, ka thënë diplomati shqiptar.

Hasani po qëndron në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, teksa pas pak do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca. 


MË SHUME NGA Lajme