Njofton policia: Mjeti shpërthyes i zbuluar në QKUK u largua nga objekti
M.P. / RTKlive
(E plotësuar 17:40) Policia e Kosovës ka njoftuar se mjeti shpërthyes që u zbulua rreth orës 14:00 në Institutet Paraklinike në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), është larguar nga policia. Mjetet dyshohet të jenë nga koha e paraluftës dhe janë gjetur gjatë inventarizimit nga Oda e Mjekëve.
“Rreth orës 16:15, ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, kanë përfunduar me pastrimin e vendngjarjes nga mjetet e dyshuara. Të njëjtat janë tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe nuk paraqesin rrezik pasi që janë materiale shkollore”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Sipas tij, këto mjete janë materiale shkollore dhe nuk paraqesin rrezik.
Mjet shpërthyes në QKUK, intervenon policia
Policia e Kosovës ka njoftuar për identifikimin e një mjeti shpërthyes në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka konfirmuar për RTK-në se mjeti është gjetur në Institutet paraklinike, në hapësirat ku është vendosur Oda e Mjekëve e Kosovës.
“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’u siguruar nga rreziku i shpërthimit eventual, duke evakuuar personelin përreth dhe siguruar perimetrin e nevojshëm”, ka njoftuar Borovci.
Tutje ai ka treguar se procedurat janë duke vazhduar drejt pastrimit të hapësirës.
“Në vendngjarje po ashtu janë ftuar edhe ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, të cilët aktualisht po vazhdojnë punën deri në pastrimin e plotë të perimetrit të siguruar nga ana e policisë”, ka deklaruar Borovci.
Ndërkaq, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës në njoftimin rreth këtij rasti ka theksuar se mjetet dyshohet të jenë nga koha e paraluftës dhe janë gjetur gjatë inventarizimit të inventarit nga Oda e Mjekëve.























