Konjufca-Hasani, marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri janë të shkëlqyeshme
B.H./RTKlive
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani.
Sipas njoftimit të Kuvendit, gjatë takimit të përzemërt e vëllazëror u shtruan për diskutim çështje të ndryshme që lidhen me thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, si dhe u shkëmbyen pikëpamje me theks të veçantë rreth zhvillimeve aktuale politike në vend, rajon e më gjerë.
“Kryetari Konjufca vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe dhe frytet e bashkëpunimit të deritashëm, derisa shprehu mirënjohje për kontributin e pazëvendësueshëm që Shqipëria ka dhënë për Kosovën në të gjitha fazat shtetformuese, shtetndërtuese dhe proceset eurointegruese”, thuhet në njoftim.
Kreu i Kuvendit po ashtu theksoi nevojën për bashkërendim të hapave në mënyrë që të jemi sa më pranë njëri-tjetrit dhe të bashkuar përballë sfidave rajonale e globale.
Ndërsa ministri Hasani, pasi shprehu kënaqësinë për vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen dhe ritheksoi përkushtimin e Shqipërisë për mbështetjen e Republikës së Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit, integrimit euroatlantik dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar.























