Nis nënshkrimi i peticionit për shkarkimin e kryetarëve në veri
Edina Avdiu / RTK
(E plotësuar 13:40) Ka filluar mbledhja e nënshkrimeve në kuadër të peticionit për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
Shumë qytetarë të janë drejtuar për në Sallën e Sporteve në veri të Mitrovicës për të hedhur nënshkrimin.
Në të njëjtën kohë, ndërkaq ka nisur edhe nënshkrimi i peticionit për shkarkimin e kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Në Komunën e Leposaviqit mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit Lulzim Hetemi po bëhet në një tendë përballë objektit të Komunës. Në mesditë është vërejtur interesim i ulët i qytetarëve për të nënshkruar peticionin.
Komuna e Leposaviqit ka 13 mijë e 441 qytetarë me të drejtë vote ndërsa prej tyre duhet të mblidhen 2 mijë e 689 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit.
Kujtojmë iniciuesit e peticionit, për tri komunat, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq e Zubin Potok, kanë kohë deri më 22 janar të mbledhin nënshkrimet e nevojshme, ndërsa në Zveçan afati i nënshkrimeve zgjatë deri më 27 janar.
Sipas Udhëzimin administrativ, duhet 20 për qind e votuesve të regjistruar të nënshkruajnë peticionin, për të kërkuar largimin e kryetarit të komunës nga funksioni dhe shkuarjen në zgjedhje të reja.
























