Reagon ndërmarrja Trepça: Aksidenti ndodhi gjatë pastrimit të gypave
M.Sh/RTKlive
Për aksidentin që ka ndodhur në minierën e Stantërgut, ka reaguar edhe menaxhmeneti i ndërmarrjes Trepça, duke shprehur keqardhje për rastin që ka ndodhur në minierë. Nëpërmjet një komunikate për media, bordi dhe menaxhmenti i Trepçës kanë dhënë detaje për aksidentin.
“Sot me datë 17.01.2024, në minierën e Stantërg-ut në ora 12:35, në horizontin e XI, ka ndodhur një aksident gjatë pastrimit të gypave të pompave me acid sulfurik. Gjatë mirëmbajtjes së gypave ka ndodhur rrjedhje e acidit sulfurik nga bombola, me ç ‘rast janë lënduar 12 punëtorë të minierës së Stantërg-ut”, thuhet në njoftim.
Ekipet shpëtuese të minierës në krye me udhëheqësin e njësisë biznesore, sipas njoftimit, kanë reaguar me shpejtësi për evakuimin e punëtorëve të lënduar nga miniera dhe dhënien e ndihmës së parë, duke vazhduar me trajtim të mëtutjeshëm në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.
“Nga stafi i mjekëve kompetent u njoftuam se gjendja e punëtorëve të lënduar është në përmirësim e sipër, tetë prej tyre janë me lëndime më të lehta të cilët po marrin trajtimin mjekësor në emergjencë dhe dy prej tyre janë me lëndime më të rënda por të mjekueshme të cilët po marrin trajtimin mjekësor në qendrën e oftalmologjisë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës”, njofton kjo ndërmarrje.
Përfaqësuesit e kësaj ndërmarrje, me të gjitha njësitë, por edhe Bordi i Trepçës shpreh keqardhje për aksidentin e ndodhur në minier, duke iu uruar punëtorëve shërim të shpejtë.























