Krasniqi kërkon hetim për incidentin ku u lënduan minatorët
E. Hoti / RTKlive
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës ( PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se lëndimi i minatorëve në minierën në Stantërg kërkon përgjegjësi dhe se për këtë rast duhet të zhvillohet një hetim i plotë dhe i pavarur.
“Ngjarja e rëndë në minierën e Stantërgut, ku 12 punëtorë të Trepçës kanë marrë lëndime, është shqetësuese dhe kërkon përgjegjësi. Është e domosdoshme të zhvillohet një hetim i plotë dhe i pavarur për të identifikuar shkaqet dhe përgjegjësitë në këtë ngjarje e cila ka mundur të përfundoj me fatalitet”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai punëtorëve të lënduar ju ka uruar shërim të shpejtë, përderisa ka akuzuar Qeverinë për mungesë të trajtimit adekuat të kërkesave të minatorëve.
“Punëtorëve të lënduar ju dëshiroj shërim të shpejtë dhe mbështetje të plotë në këtë moment të vështirë për ta.
Përkundër kërkesave të vazhdueshme ndaj Qeverisë aktuale, minatorët e Trepçës kanë përjetuar mungesën e trajtimit adekuat”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas tij ,Qeveria e Kosovës duhet të dëgjojë kërkesat e minatorëve dhe duhet të ndërmarr veprime urgjente dhe konkrete për të garantuar kushte më të mira dhe siguri në vendin e punës.
Të mërkurën në minierën e Trepçës ka shpërthyer një cisternë me acid ku janë lënduar 12 minatorë.























