Kurti e falënderon Bullgarinë për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës
E. Hoti / RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar homologun nga Bullgaria, Nikolai Denkov, të cilin e ka falënderuar për përkrahjen ndaj shtetit të Kosovës në procese të ndryshme.
Takimi i Kurtit me Denkovin u zhvillua të enjten në Davos, në ditën e tretë të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror .
“Së bashku folën për marrëdhëniet bilaterale, për 13 marrëveshjet e nënshkruara deri më tani ndërmjet dy vendeve dhe 7 të tjera që janë në proces të finalizimit, për bashkëpunim ndërshtetëror dhe rajonal si dhe situatën e sigurisë në rajon”, thuhet në njoftimin për media nga Kryeministria.
Gjithashtu tutje u tha se kryeministri Kurti e falënderoi homologun e tij bullgar për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, për përkrahjen aktive në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe për kontributin në fushën e sigurisë e mbrojtjes përmes pjesëmarrjes së saj në misionin e KFOR-it.























