Hoti: Thellimi i krizës, pasojë e mungesës së masave adekuate nga Qeveria
BKT
Lajme

Hoti: Thellimi i krizës, pasojë e mungesës së masave adekuate nga Qeveria

F.S / RTKlive

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka publikuar disa statistika nga Agjencia e Statistikave të Kosovës nëpërmjet të cilave, sipas tij, tregohen vështirësitë me të cilat përballen familjet kosovare si shkak i inflacionit.

Hoti ka thënë se krizën e ka thelluar mungesa e masave adekuate për të zbutur pasojat e inflacionit.

“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës: 43.4% e familjeve nuk mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 eurove nga burimet e tyre vetjake, 49.2% e familjeve nuk mund të mbulojnë shpenzimet e një shujte çdo dy ditë që përfshinë mishin, pulën dhe peshkun, 48.8% e familjeve kanë deklaruar se pagesa e borxheve është barrë e rëndë financiare, 8.1% e familjeve kishin vështirësi të mëdha, ndërkaq 20.1% përballeshin me vështirësi, në kryerjen e pagesave të nevojshme të zakonshme të familjes, marrë parasysh të ardhurat. Shkaktari burimor i kësaj situate është inflacioni. Por, thellimi i krizës erdhi si rezultat i mungesës së masave adekuate për të zbutur pasojat e inflacionit për familjet”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij “Facebook”.

Ish-kryeministri thotë se në Kuvend por edhe jashtë tij kanë thënë se ndihma e njëhershme nuk është zgjidhje, sipas tij, tashmë këtë po e dëshmojnë edhe statistikat e Qeverisë.

Hoti mes tjerash, ka propozuar edhe dy zgjidhje për daljen nga kjo krizë, në të cilën sipas tij, gjendet vendi.

“E kemi ngritur vazhdimisht në Kuvend dhe jashtë Kuvendit, se ndihma e njëhershme nuk është zgjidhje për zbutjen e pasojave të inflacionit. Tani këtë po e dëshmojnë statistikat e Qeverisë. Zgjidhja është: (1) indeksimi i pensioneve dhe asistencës sociale, së paku aq sa ka qenë inflacioni, në mënyrë që të ruhet standardi minimal i jetës së familjeve më të cenueshme nga inflacioni, si dhe (2) zgjerimi i përkohshëm i listës së mallrave me normë të reduktuar të TVSH-së prej 8 për qind”, ka shkruar tutje Hoti.


MË SHUME NGA Lajme