Samiti në Shkup, shpresë për ekonominë e Ballkanit Perëndimor
Leonora Berbatovci /RTK
Me shpresën se do të mund të gjejnë rrugën para në drejtim të krijimit të një tregu të përbashkët rajonal si parakusht për afrimin drejt Bashkimit Evropian, liderë të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nisur konferencën e përbashkët rajonale që ka të bëjë me planin e rritjes për këtë rajon.
Fondet e premtuara nga Komisioni Evropian janë 6 miliardë euro të cilat do të jepen në formë të granteve dhe kredive të buta për investime kapitale në përafrimin me BE-në. Mirëpo parakusht për përfitimin e këtyre fondeve janë reformat e kërkuara ku në qendër është krijimi i një tregu të përbashkët rajonal por edhe adresimi i reformave sidomos në fushën e sundimit të ligjit si mënyrë për tërheqjen e investitorëve.
Para nisjes së këtij takimi, liderë të vendeve të Ballkanit por edhe përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së kanë folur për pritjet e tyre nga ky takim, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm në rrugën e përafrimit me Bashkimin Evropian.
Nga 6 vendet pjesëmarrëse, ka qenë kryeministri i Kosovës Albin Kurti ai i cili tha se ka ardhur me listën e reformave të diskutuara derisa ditët në vijim ka paralajmëruar edhe paraqitjen e listës së projekteve indikative.
Kurti ka bërë të ditur se tek pjesa e reformës në qendër është reforma e administratës publike derisa tek pjesa e projekteve agjenda e gjelbër i prin projekteve që do të prezantohen nga Kosova.
“Sasia e mjeteve qe merren varet nga puna e mirë dhe performanca”, theksoi Kurti.
Ndërkohë përfaqësuesi i BE-së në këtë takim, Gert Jan Kopmann, i cili është drejtor i përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian tha se për BE-në është e rëndësishme të shohin se si vendet po punojnë në reforma për të përshpejtuar rritjen dhe të shohim afrimin.
“Sot do të diskutojmë tregun e përbashkët. Jemi te inkurajuar te shohim energjinë e liderëve të Ballkanit”, theksoi ai.
Nga SHBA në këtë takim merr pjesë Xhejms O’Brajan, Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike. Ai tha se në takim me liderët e Ballkanit Perëndimor do të zhvillojnë idetë praktike për të ecur përpara dhe strategjitë.
Ndërkohë edhe përfaqësues të vendeve të tjera të rajonit, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai i Malit të Zi, Milojko Spajiç dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq folën për pritjet e tyre nga ky takim duke u shprehur optimistë për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal.
Kovaçevski: Temë edhe reformat për Ballkanin Perëndimor drejt BE-së

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski sot është nikoqir i takimit të liderëve nga rajoni kushtuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të miratuar nga Komisioni Evropian.
Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, në hapje të këtij takimi tha se sot do të flasim për planin për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor dhe reformat për vendet tona drejt BE-se.
"Instrumentet financiare prej 6 miliardë eurosh. Flasim për aktivitetet rreth CEFTA-s për heqjen e barrierave tregtare mes vendeve, e të tjera tema", tha Kovaçevski.
Rama në Shkup: Takim rreth hapit të madh në afrimin me BE-në
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili po merr pjesë në takimin e liderëve të Ballkanin Perëndimor, kushtuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të miratuar nga Komisioni Evropian, tha se është takim shume i rëndësishëm, sepse janë takuar përfaqësues të BE-së se dhe SHBA-s ë rreth hapit të madh në afrimin me BE-në.
“Është plani i rritjes dhe integrimi ne tregun e përbashkët. Është mundësi e mirë qe 6 vendet e Ballkanit të punojmë së bashku dhe të vendosim para qytetaret dhe të lëmë prapa politiken e historinë”, tha Rama.
Vuçiq për konferencën: Ecje e gjithë rajonit
Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka theksuar se punimet e konferencës në Shkup janë të rëndësishme “për ecjen e gjithë rajonit”:
“Kemi diskutuar për planin e zgjerimit. Dy gjëra të rëndësishme janë tregu i përbashkët rajonal në mënyrë që të depërtojmë lehtë përmes tregtisë e industrisë”, ka thënë Vuçiq.
“Me planin e BE-së do të shohim se cilat janë planet dhe kushtet e BE-së për të përfituar nga fondet”, ka thënë ai.
Spajic: Takim i rëndësishëm për investitorët e Ballkanit Perëndimor
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajic, përgjatë fjalimit të tij ka thënë se kjo konferencë është mundësi për investitorët e Ballkanit Perëndimor.
“Është takim i rëndësishëm jo vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe për investitorët që duan të investojnë në këto vende”, ka thënë Spajic.
Liderët e Ballkanit Perëndimor mblidhen sot në Shkup

N.M. /RTKlive
Liderë rajonalë të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë tjerë të lartë do të mblidhen sot, në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në punimet e konferencës së Bashkimit Evropian për rritje ekonomike të rajonit.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski sot do të jetë nikoqir i takimit të liderëve nga rajoni kushtuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, të miratuar nga Komisioni Evropian. Ai ka mirëpritur mbrëmë në një darkë pune në Shkup, liderët e vendeve të rajonit.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, të dielën është shprehur i kënaqur që ka takuar kryeministrat e Shqipërisë e Kosovës, Ramën e Kurtin, në prag të Samitit të BE-së në Shkup si dhe aleatë të tjerë.
Sipas programit, para fillimit të takimit, kryeministri Kovaçevski si dhe pjesëmarrësit zyrtarë do të kenë një deklaratë për media.
Deklarata për media pritet të kenë Albin Kurti, Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edi Rama, Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, , Aleksandër Vuçiq, President i Republikës së Serbisë, Milojko Spajic, Kryeministër i Qeverisë së Malit të Zi, Srgjan Amixhiq, Ministër i Financave dhe Thesarit në Këshillin e Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Gert Jan Kopmann, Drejtor i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, James O’Brien , Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike.
Në nëntor të vitit të kaluar, Komisioni Evropian prezantoi një plan të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike me Bashkimin Evropian.























