Koopman: Fondet e BE-së, vetëm pasi rajoni t`i përmbushë parakushtet
BKT
Lajme

Koopman: Fondet e BE-së, vetëm pasi rajoni t`i përmbushë parakushtet

Gjeraqina Tuhina / RTK, Bruksel

Shtetet e Ballkanit Perëndimor do t`i shfrytëzojnë mjetet nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian vetëm kur të konfirmohet se i kanë plotësuar të gjitha parakushtet.

Jan Gert Koopman, drejtor për zgjerim i Komisionit Evropian, përmendi demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut si shtyllat kryesore që duhet përmbushur.

Kosova e Serbia kanë një kusht shtesë.

“Ne gjithashtu shtojmë, dhe kjo është një pikë e rëndësishme, se Serbia dhe Kosova duhet të plotësojnë kushte specifike për t'u angazhuar në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Ky nuk është ndërkushtëzim. Kushtet kanë të bëjnë me secilin vend, individualisht. Pra, me fjalë të tjera, nëse njëri nga dy vendet nuk përparon, tjetri nuk pengohet, me kusht që ka përparuar në procesin e reformave. Mendojmë se kjo është shumë e rëndësishme. Të gjithë e dimë se sa i rëndësishëm është normalizimi për të gjithë rajonin”, deklaroi Koopman.

Presidenti i Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, David McAllister, ka tërhequr vërejtjen se shtetet e rajonit nuk do shfrytëzojnë mjete, nëse nuk i plotësojnë kriteret e përmendura, përfshirë këtu edhe sanksionet ndaj Rusisë.

“Parlamenti ka nënvizuar në mënyrë të përsëritur rëndësinë e kushtëzimit të fortë në të gjitha financimet e para-anëtarësimit, i cili duhet të mbështetet nga një kornizë koherente, e qëndrueshme dhe transparente, kontrolli dhe rezultatesh. Duhet të jetë e qartë se vendet që zvarriten ose ngecin në vlerat themelore dhe që dështojnë të përafrohen me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, nuk mund të kenë të drejtë për fonde shtesë”, tërhoqi vërejten David Mcallister.

Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor i miratuar në nëntor të viti të kaluar, ka vlerë prej 6 miliardë eurosh dhe ka për qëllim që brenda dhjetë vjetëve të dyfishojë ekonominë e vendeve të rajonit.

Secili shtet do e ketë, siç thuhet, zarfin e vet, por mjetet mund t’i marrin vetëm kur të konfirmohet se janë ndërmarrë reformat. Gjithashtu ekziston edhe mundësia që, në rast të përdorim të jashtëligjshëm, Komisioni Evropian t’i kërkojë t’i kthehen mjetet edhe pas kryerjes së pagesës.

 


MË SHUME NGA Lajme