Kurti falënderon Çekinë për përkrahjen e vazhdueshme dhënë Kosovës
N.M. /RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot ministrin për Çështje Evropiane të Republikës së Çekisë, Martin Dvorak.
Bëhet e ditur se kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje, përsëri në Kosovë, ministrit Dvorak pas më shumë se dy dekadave. Ai e falënderoi për punën dhe angazhimin e tij të madh në një periudhë të vështirë për vendin tonë. Martin Dvorak kishte shërbyer si administrator i Komunës së Istogut dhe Gjakovës ndërmjet vitit 1999-2002.
“Gjithashtu, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për Republikën e Çekisë për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës, përfshirë këtu kontributin e Çekisë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë përmes misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit (EULEX), përkrahjen përmes votës në proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe tash së fundmi rolin e saj në procesin e suksesshëm të liberalizimit të vizave”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Kurti e njoftoi ministri çek Dvorak me zhvillimet e fundit, progresin demokratik të evidentuar edhe sipas raporteve ndërkombëtare, rritjen e shënuar në indikatorët ekonomikë, arritjet dhe politikat kryesore të qeverisë dhe fushat me prioritet të këtij vitit e të cilat reflektohen edhe në ndarjet buxhetore për 2024.
“Kurse, ministri për Çështje Evropiane të Republikës së Çekisë, Martin Dvorak, u shpreh i lumtur për vizitën dhe mikpritjen, sa edhe për ndryshimet dhe zhvillimin në vend nga koha kur shërbente në Kosovë. Ai tha se Çekia është mbështetëse dhe mike e afërt e Kosovës dhe e integrimit të saj euro-atlantik. Së bashku diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shtete, me theks tek mundësitë e avancimit të tyre”, thuhet në këtë njoftim.
Martin Dvorak kishte shërbyer si administrator i Komunës së Istogut dhe Gjakovës ndërmjet vitit 1999-2002.























