Në Hagë dëshminë e vazhdoi edhe dëshmitari i 39-të, Dejan Jeftiq |Video
Elmina Osmani /RTK
Në seancë krejtësisht private për të pestën ditë me radhë ka vazhduar të dëshmojë, dëshmitarja e 41-të e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veseit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Pas përfundimit të dëshmisë së saj, pranë trupit gjykues në Hagë, dëshminë e vazhdoi dëshmitari i 39-të i ZPS-së, Dejan Jeftiq me kodin W01763 në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Dëshmitari është marrë në pyetje nga mbrojtja e Thaçit. Avokati përmes Gregory Keohe, ka kërkuar konfirmimin e tij lidhur me deklaratat në seancën e kaluar.
Ndërkohë para trupit gjykues në Hagë, dëshmitari i 39-të në rastin Thaçi dhe të tjerët, bombardimet e NATO-s i ka quajtur, “agresion mbi Serbinë”, pasi u pyet nga gjyqtari se ku ka qëndruar pas ndalimit që i është bërë në Budakovë.
“Vendi më i sigurt ka qenë në ushtri. Më pas filloi agresioni i NATO-s mbi Serbinë dhe ne nuk kishim kontakte me familjet”, ka thënë Jeftiq.
Gjyqtarët nuk vazhduan me pyetje të tjera për këtë temë. Jeftiq në deklarime të mëparshme ushtarët e UÇK-së i kishte quajtur “terroristë”.























