Shoshi: Akti terrorist në Banjskë, rast për raport të veçantë nga KiE
BKT
Lajme

Shoshi: Akti terrorist në Banjskë, rast për raport të veçantë nga KiE

V.Thaçi /RTKlive

Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i cili po merr pjesë në sesionin e Këshillit të Evropës, në Strasburg, ka pasur takime të shumta dhe të rëndësishme, pothuajse, me të gjitha delegacionet pjesëmarrëse në sesion.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, në “Lajmet e fundit”, në RTK tha se kishin një takim me Dora Bakoyannis-in, raportuese kryesore për çështje politike.

Shoshi tha se u diskutua lidhur me çështjet kryesore që kërkohen nga Kosova, në përmbushjen e kritereve në mënyrë që në muajin prill të ketë një opinion pozitiv nga Asambleja dhe pastaj, siç bëri të ditur ajo, të bashkohet në procesin të Këshilli i Ministrave në mbledhjen e muajit maj.

Musliu-Shoshi, tha se i ka shtruar pyetje Sekretares Gjenerale të Këshillit të Evropës, lidhur me aktin terrorist në Banjskë, që kishte për synim destabilizimin e paqes dhe sigurisë në Kosovës dhe të gjithë rajonin, është rast që kërkon raport të veçantë nga Asambleja e Këshillit të Evropës.

“Këtë kërkesë e theksova edhe në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci e ku u përkrah unanimisht, e drejtova si pyetje dhe kërkesë edhe tek Sekretarja e Këshillit të Evropës, e cila u përkrah”, tha ajo.

Ariana Musliu-Shoshi, mes tjerash, foli edhe për procesin e dialogut, e cila u shpreh kritike në qasjen e qeverisë ndaj opozitës për këtë çështje.

Ajo tha se nuk ka informacione të nevojshme për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Si opozitë jemi në terr informativ. Nuk kemi informacione as në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, që në fakt mbikëqyrë punën e dialogut, nuk kemi as raportim nga Kryeministri”, tha deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Musliu-Shoshi.

Ndryshe, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, në vizitën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në Strasburg të Francës, i shoqëruar nga nënkryetarja e Kuvendit dhe kryesuese e delegacionit, Saranda Bogujevci, si dhe anëtarët e tjerë, deputetët Enis Kervan, Besnik Tahiri dhe Ariana Musliu Shoshi është duke zhvilliuar takime me delegacione pjesëmarrëse në sesionin e KiE-së, në Strasburg.


MË SHUME NGA Lajme