Bislimi: Kosova pret që BE-ja t’i largojë masat e vëna kundër saj/Video
BKT
Lajme

Bislimi: Kosova pret që BE-ja t’i largojë masat e vëna kundër saj/Video

Sh.Ç /RTKlive

(E plotësuar) Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane. Ai ka deklaruar Bislimi para anëtarëve të Komisionit se Bashkimi Evropian ka një qasje të pa balancuar ndaj Kosovës. Bislimi tka thënë se Kosova ka përmbushur obligimet e saj në marrëveshjen e arritur me Miroslav Lajçak.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet të zgjerohet dhe të reformohet. Në Komisionin për Integrim Evropian, ai ka deklaruar se Kosova i ka përmbushur kërkesat bazë, dhe pret që BE-ja t’i heqë masat e vëna kundër saj.

“Është shumë e rëndësishme që BE-ja të heqë masat represive ndaj Kosovës”, ka deklaruar Bislimi.

Bislimi ka thënë se Kosova ka përmbushur obligimet e saj në marrëveshjen e arritur me Miroslav Lajçak. Ai ka thënë se ka paqartësi te vendet anëtare rreth situatës në Kosovë, por se ka edhe presion nga të tjera që të hiqen.

“Me gjasë ka paqartësi brenda vendeve anëtare se cili është mekanizmi për largimin e masave. Por, ka frustrim e presion edhe brenda vendeve anëtare se si ka mundësi që Kosova është nën masa vetëm sepse ka dërguar katër kryetarë komunash në zyrat e tyre, ndërsa Serbia nuk ka masa edhe për shkak të agresionit terrorist që ka bërë”, ka deklaruar ai.

Bislimi ka thënë se synimi për sivjet është pranimi i pyetësorit nga BE-ja në “mënyrë që të dëshmojmë që Kosova e meriton statusin e vendit kandidat”. Sipas tij, institucionet e Kosovës janë të gatshme të përgjigjen.

“Synim për këtë është pranim i pyetësorit nga Komisioni Evropian në mënyrë që të dëshmojnë se Kosova meriton statusin e vendit kandidat dhe në këtë mënyrë të vazhdojmë me hapa konkret drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropia”, ka theksuar ai.

Sipas tij, “Plani i rritjes” i BE-së është veprim i duhur dhe sipas tij Bashkimi Evropian duhet të zgjerohet dhe reformohet. Bislimi ka thënë se mbështesin qasjen që kushtëzon fondet e BE-së me pranimin e vlerave të BE-së.

“Ne e mbështesim plotësisht qasjen që kushtëzon fondet e BE me vlerat. Kosova përfiton 950 milionë euro brenda katër vitesh. Kjo njëherësh përbën shumën më të madhe që ndonjëherë Kosova ka përfituar”, ka thënë ai.

Bislimi po ashtu ka folur për udhëtimin e lirë të qytetarëve të Kosovës pas liberalizimit të vizave, gjersa ka deklaruar se po e përcjellin me vëmendje dhe gjithçka po shkon në rregull.

I dyti i qeverisë, ka përmendur njohjen e pasaportave nga Spanja, gjersa ka theksuar  se Pakoja e Zgjerimit e BE-së e kthen shpresën se Ballkani Perëndimor sërish po kthehet në vëmendje.

Bislimi: I kemi dërguar raport 48 faqesh për Banjskën BE-së, le ta publikojë Prokuroria

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se Kosova i ka dërguar Bashkimit Evropian dhe secilit shtet anëtar një raport prej 48 faqeve për agresionin në Banjskë, këtë raport e ka edhe prokuroria. Sipas tij, raportin duhet ta publikojë prokurori dhe jo qeveria.

Bislimi ka kërkuar ndihmën e anëtarëve të Komisionit për Integrim nga radhët e opozitës që të bëjnë presion publik mbi prokurorinë që ta bëjë publik raportin.

“Ne i kemi dërguar raport 48 faqesh për Banjskën, BE-së edhe secilit shtet anëtar, edhe secilës ambasadë në Bruksel. 48 faqe. Por raportin për me e publiku duhet me bë prokurori. Prokurori nuk është Qeveri. Ne po bëjmë presion publik që të publikohet raporti. Bëni edhe ju e ndihmona që Prokuroria ta bëjë raportin, ta nxjerrë fletarrestin për Radojçiqin dhe të gjendjen kriminelët e tjerë. Ndihmona në këtë drejtim, që Radojçiqi të mos sillet i lirë rreth veriut. Sa herë që ai sillet i lirë dhe Serbia dhe kampet ushtarake të saj, përgatit dhe trajnon të rinj nga Kosova, rreziku i sigurisë do të jetë permanent, prandaj ndihmona që edhe prokuroria të veprojë”, ka thënë Bislimi.


MË SHUME NGA Lajme