Andorra mbështet anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare
N.M. /RTKlive
Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, është pritur në takim nga kryeministri i Andorrës, Xavier Espot Zamora, nga i cili mori mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Republika e Kosovës si një shtet me aspirata të qarta integruese është mirënjohëse ndaj Principatës së Andorrës për mbështetjen e pa rezervë dhënë në procesin e anëtarësimit të shtetit tonë në organizata ndërkombëtare”, theksoi Gërvalla gjatë takimit me kryeministrin, Zamora, njofton zyra për informim e MPJD-së.
Situata e sigurisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor si dhe nevoja e integrimit të Kosovës në mekanizmat e sigurisë dhe ato evropiane ishin temat kyçe në takimin mes ministres Gërvalla dhe kryeministrit Espot Zamora.
Tutje Gërvalla e njoftoi kryeministrin e Andorrës rreth progresit në ekonomi, sundim të ligjit dhe rritjen e standarteve demokratike në vend.
“Ministrja Gërvalla e falënderoi kryeministrin e Andorrës për mbështetjen e dhënë ndaj Kosovës në anëtarësimin e saj në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe kërkoi vazhdimin e mbështetjes edhe në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, për të cilin proces mori mbështetjen e nevojshme”, thuhet tutje në këtë njoftim.
Gjithashtu, bëhet e ditur se gjatë këtij takimi palët shprehën gatishmërinë për bashkëpunim edhe në fushën e turizmit, shkëmbim të eksperiencave në diplomaci dhe fusha tjera me interes të përbashkët. Në fund të takimit ministrja Gërvalla e ftoi kryeministrin e Andorrës, Espot Zamora të vizitojë Republikën e Kosovës, në 25 vjetorin e çlirimit.























