Dëshmitari 44, dëshmon në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka vazhduar dëshminë dëshmitari i 44 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Ky i fundit seancën e ka përcjellë nga distanca përmes video-lidhjes.
Porse e tërë dëshmia e dëshmitarit 44 ka qenë në sesion privat, pavarësisht se një ditë më parë avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, kërkoi që dëshmia e tij të jetë në seancë publike, pasi që ky dëshmitar, sipas Emmerson, ka pranuar se ka gënjyer dhe është përpjekur që të manipulojë procesin gjyqësor për llogari të shërbimit sekret serb.
Megjithatë, kërkesa e Emmerson nuk është aprovuar nga Trupi Gjykues i cili vendosi që dëshmia e dëshmitarit 44 të jetë në sesion privat. Ndryshe, shumica e seancave në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK, që nga fillimi e deri më tani janë zhvilluar në sesione private.























