Hovenier për ndalimin e dinarit: Të merren veprimet e duhura
M.P. / RTKlive
Ambasadori amerikan Jeff Hovenier ka thënë se duhet të merren veprime të duhura për të siguruar që serbët do të jenë të sigurt, pasi sot ka hyrë në fuqi rregullorja e re e BQK-së, e cila e ndalon përdorimin e dinarit në Kosovë.
Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kundërshtojnë zbatimin e rregullores së BQK-së para se ajo të jetë plotësisht e përgatitur.
“...sepse ata do të ndjehen të shkëputur nga benefitet që i përfitojnë. Askush nuk e dëshiron këtë”, tha Hovenier pas takimit me kryeministrin Kurti.
Tutje ai nuk ka dashur që të japë detaje të takimit me kryeministrin, por e ka vlerësuar të ngutshëm veprimin për ndalimin e dinarit. Ai ka kërkuar që të ketë kushte të mira jetësore për këdo.
“Nuk dua të flas për atë çfarë kam folur me Kurtin, për shqetësimet që i kemi ngritur dhe për mënyrën (se si është marrë vendimi, v.j) për të cilën besojmë se është e ngutshme dhe jo mandatare. Jemi këtu për t’u siguruar që ky vendim nuk do të ketë ndikim në jetën ditore të njerëzve. Gjithçka çka dëshirojmë është që të jetojmë në kushte të mira jetësore”, ka thënë ai para medieve.
Tutje ambasadori amerikan ka shprehur drojën se Kosova rrezikon të përballet me tensione të reja në veri për shkak të zbatimit të rregullores së re të BQK-së, teksa ka thënë se kjo çështje kërkon më shumë kujdes dhe dialog.
“Mendojmë që kjo çështje meriton konsideratë më të kujdesshme dhe diskutim me përfaqësuesit e BE-së në dialog. Jemi të shqetësuar nëse ka gjasa potenciale që gjendja të eskalojë në tension etnik në veri dhe të shndërrohet në problem për jetën e përditshme të serbëve”, ka shtuar Hovenier.
Sipas tij rrezikohen tensione sidomos te njerëzit që varen nga ndihmat që vijnë prej Serbisë, derisa ka shprehur shpresën që Qeveria e Kosovës të gjejë zgjidhje tranzicioni.
Hovenier ka thënë se nuk e di se si do të tejkalohet frustrimi i qytetarëve, teksa ka marrë shembull pensionistët, për të cilët ka thënë se deri më tani kanë marrë pagesat mujore me dinar dhe tashmë ndryshimi i valutës për “benefitin social” nuk dihet se çfarë reagimi do të sjellë tek ta.























