Konjufca: Dinari është dashur të largohet menjëherë pas luftës
Edina Avdiu / RTK
(E plotësuar, 13:10) Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se dinari serb është dashur të largohet nga përdorimi menjëherë pas luftës, kur Serbia është larguar nga Kosova.
"Nëse ju thoni së është dashur t’i mbledhim ndërkombëtarët dhe t’i njoftojmë, kjo është një temë tjetër, ka mundur të ndodhë, por kjo është konsideruar një çështje që nuk do të shkaktojë probleme dhe turbulenca për shkak se ligji është i shkruar”, tha Konjfuca pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Konjufca foli edhe për shqetësimet e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier i cili të enjten deklaroi se mund të ketë tensione në veri të vendit.
"Shqetësimi është se mund të ketë turbulenca në veri të Kosovës, por ne sigurojmë se kjo nuk do të ndodhë dhe se siguria do t’u ofrohet të gjithëve. Situata nuk del prej kontrollit pse dinari është hequr nga përdorimi si valutë”, tha Konjufca.
Të enjten mblidhet Kuvendi, opozita synon dy Komisione hetimore
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të enjten e ardhshme për seancë plenare.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka bërë të ditur se opozita do të tentojë të formojë dy komisione hetimore.
"Vendosem që seanca e radhës të mbahet ditën e enjte. Kemi propozuar themelimin e dy Komisioneve Hetimore, në njërin që të bëhet hetim në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme për degradimin që është bërë në të, për rastin e Gani Jakupit ku është paguar me një pagë që kalon çdo limit. Kemi informacione që ka angazhim edhe të tjerëve si në rastin e Jakupit. Çështje tjetër është edhe Komisioni Hetimor për humbjen e mostrave të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore", ka thënë Tahiri.























