Rizvanolli thotë se në ankandin solar ofertuan kompani serioze
BKT
Foto/ Edona Podvorica/ RTK
Lajme

Rizvanolli thotë se në ankandin solar ofertuan kompani serioze

E. Podvorica & A.Bela/ RTK

(E plotësuar, ora 14:40) Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pas hapjes së ofertave të ankandit solar tha se kjo është hera e parë që po ndodh në Kosovë.

Ajo bëri me dije se kompanitë që kanë shprehur interesim për këtë ankand janë nga Kosova, Turqia, Franca dhe Egjipti, raporton RTKlive. Dy konsorciume janë nga Turqia, dy nga Kosova, ndërsa një nga Franca dhe një tjetër nga Egjipti.

“Sot shpalosëm gjashtë kompani ose konsorciume që kanë dorëzuar ofertat e tyre për ndërtimin e impiantit solar në Kosovë prej 100 megavatesh. Gjatë procesit përmes përgjigjeve në më shumë se dhjetë raundeve të sqarimeve jemi siguruar që të udhëheqim një proces të drejtë dhe të hapur, ku të gjitha palët janë të mirinformuara. Deri tani me përkrahjen e USAID-it, kemi zhvilluar një proces të drejtë konkurrues me transparencë të plotë dhe mund të themi lirisht se kemi bërë një proces shembull për rajonin”, u shpreh Rizvanolli.

Rizvanolli, bëri me dije se ka qenë proces me transparencë e shembull për rajonin. Sipas saj, në javët në vijim do të vlerësohen ofertat e kompanive që kanë shprehur gatishmëri për këtë ankand.

“Në fazën e dytë do të organizohet një ankand elektronik, ku kompanitë ose koncerciumet e kualifikuara do të kenë mundësinë që të ulin çmimin e tyre fillestar, duke garuar me njëra-tjetrën dhe në fund ofertuesi që ka dorëzuar çmimin më të ulët në përmbyllje të ankandit të fazës së dytë, do të shpallet fituese. Pranimi i këtyre ofertave sot, nga investitorë serioz dhe me eksperiencë në fushën e energjisë së ripërtërishme duke përfshirë këtu edhe kompanitë serioze nga vendi e diaspora, na bën tejet të lumtur dhe e shohim si një rezultat i një pune të palodhshme të Ministrisë së Ekonomisë por jo vetëm”, tha Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Hapen ofertat për ankandin e parë solar në Kosovë|VIDEO

Në  ndërtesën e Ministrisë së Ekonomisë u bë hapja publike e oferta e për Ankandin e Parë Solar Foltovoltaik prej 100 MW.

Pas hapjes s ofertave nga ana e komisionit, do të mbahet konferencë për media nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ministria Ekonomisë, ka njoftuar se janë dorëzuar 6 oferta, për ankandin e parë solar 100 MW, raporton RTKlive.

Ky ankand paraqet skemën e parë konkurruese për ndërtim të kapaciteteve të reja e që në qendër të saj e mban qytetarin dhe garantimin e çmimit më të ulët.

Ky central solar fotovoltaik (FV) prej 100 MW,  do të ndërtohet në pronë publike.

Centrali solar fotovoltaik do të ndërtohet në zonën kadastrale të Kramovikut dhe Petkoviqit në Komunën e Rahovecit, e cila do t’i jepet me qira ofertuesit të përzgjedhur për një periudhë jo më të shkurtër se 30 vjet.

Marrëveshja për blerjen e energjisë do të lidhet për një periudhë prej 15 vitesh me operatorin e tregut, i cili garanton blerjen e detyrueshme të energjisë elektrike të prodhuar.


MË SHUME NGA Lajme