Krerë të policisë e ministra vizitojnë zonat kufitare në veri
BKT
Lajme

Krerë të policisë e ministra vizitojnë zonat kufitare në veri

E. Hoti / RTKlive

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe drejtorin e Departamentit Kufitar  Fehmi Xhata,  kanë vizituar zonën  kufitare në Bërnjak, Jasenovik dhe atë të liqenit të Ujmanit.

“Qëllimi i kësaj vizite ishte i një rëndësie të veçantë, për të parë punën e zyrtarëve policorë, të cilët me patrullimet e tyre mbulojnë atë pjesë të zonës kufitare, për të ofruar siguri si dhe për të parandaluar krimin e kontrabandën e mallrave”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Përveç tjerash, njoftohet se  kjo vizitë vjen edhe pas raportimit në media lidhur me kontrabandën në këtë zonë kufitare.

“Ministrat dhe stafi menaxhues u njoftuan nga afër me punën, angazhimin, përkushtimin dhe vështirësitë e punës në baza ditore të zyrtarëve policorë, në parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të ndryshme kriminale”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës thotë se  do të vazhdojë angazhimet e saj policore në ruajtjen e rendit kushtetues, ofrimin e sigurisë dhe parandalimin e kontrabandës dhe krimit trans kufitar.


MË SHUME NGA Lajme