Pistorius nga QNKTSH premton ndihmë për zgjerim të kapacitetit trajnues
Valjeta Shala / RTK
(E përditësuar 16:34) Pas përfundimit të takimeve ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe ministri i Mbrojtjes së Republikës Federale të Gjermanisë, Boris Pistorius, kanë parë për së afërmi kapacitetet profesionale dhe mjetet teknike të Qendrës Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit në Pomozatin.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka uruar që FSK të jetë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
“Gjermania qysh nga kohët e pasluftës ka qenë mbështetje kryesore në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ka luajtur rol kyç poashtu në aspektin e stabilitetit të sigurisë, si në pjesëmarrje të trupave të KFOR-it, gjithashtu duke qenë aktiv dhe prezent në zhvillimet e FSK-së”, ka thënë Maqedonci.
Tutje ai ka theksuar se donacionet gjermane janë vënë në përdorim “për të mirën e qytetarëve të vendit, për sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm të Kosovës por edhe të gjithë rajonit”.
Kurse ministri i Mbrojtjes së Republikës Federale të Gjermanisë, Boris Pistorius është shprehur i lumtur me kapacitetet që ofrojnë Forcat e Sigurisë së Kosovës teksa ka treguar që janë ndarë rreth 7 milionë euro për këtë qendër.
“Është mbresëlënëse të shohësh një madhësi dhe kapacitet të madh të Qendrës Ndërkombëtare të Kërkim-Shpëtimit, që nuk kam parë kurrë një vend të tillë më parë. Ju keni demonstruar përvojën tuaj në këtë fushë. Pranverën e kaluar pas tërmetit në Turqi, përgjigja juaj humanitare ishte shembull për shumë organizata të tjera në mbarë botën. Këtë vit, qëllimi ynë ka shkuar një hap më tej dhe do të ju ndihmojmë të zgjeroni kapacitetin e trajnimit ndërkombëtar dhe të ndërtoni mësimet e nxjerra nga misioni i tërmetit në Turqi. Unë jam i lumtur të them se aktualisht kemi caktuar rreth shtatë milionë euro për QNKTSH për t'u shpenzuar për një sërë projektesh dhe për të qenë në gjendje t'ju dorëzojmë disa nga pajisjet e shpëtimit sot”, tha Pistorius.
(14:12) Maqedonci pret homologun gjerman, Pistorius
M.P. / RTKlive
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në vizitë zyrtare ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Boris Pistorius.
Pistorius është i shoqëruar nga deputetët e Bundestagut dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Ceremonia e pritjes ka nisur me intonimin e himnit të Kosovës dhe të Gjermanisë nga Orkestra Frymore e Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Pistorius paraprakisht është takuar me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani.


























