Konjufca e Hussar u pajtuan për thellimin e raporteve midis dy vendeve
BKT
Lajme

Konjufca e Hussar u pajtuan për thellimin e raporteve midis dy vendeve

Sh.Ç /RTKlive

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Estonisë. Në fillim të vizitës, kryetari Knjufca, i shoqëruar nga shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli dhe këshilltari Donik Sallova, u prit në takim nga Kryetari i Parlamentit të Republikës së Estonisë, Lauri Hussar.

“Konjufca i shprehu homologut estonez mirënjohjen për mbështetjen që Estonia i ka ofruar Republikës së Kosovës në aspektin ndërkombëtar dhe sfidat rajonale. Kreu i Kuvendit tha se me Estoninë Kosovën e bashkon partneriteti strategjik, interesat e përbashkët në shumë sfera, bashkëpunimi i vazhdueshëm, vlerat dhe aspiratat e demokracisë”, thunet në njoftim.

Sipas njoftimit, kryetari i Riigikogut të Estonisë, Hussar, konfirmoi se mbështetja e shtetit të tij për Kosovën do të vazhdojë edhe në të ardhmen, sikundër edhe bashkëpunimi në shumë sfera të interesit reciprok.   

“Bashkëbiseduesit u pajtuan për nevojën e thellimit të mëtejmë të raporteve midis dy vendeve, nëpërmjet shkëmbimit të përvojave parlamentare, investimeve ekonomike, angazhimit për transformime digjitale, bashkëpunimit në lidhje me sfidat e sigurisë dhe në çdo fushë të interesit të përbashkët” theksohet në njoftim.

Sipas njoftimit në këtë takim Konjufca dhe Hussar diskutuan edhe për situatën politike në Kosovë dhe Estoni, duke theksuar se përveç interesave, të dy shtetet ndajnë edhe rrezikun e një Rusie në kërkim të destabilitetit.

“Aleanca e vendeve demokratike është përgjigjja e vetme ndaj kërcënimit rus, aleatëve dhe satelitëve të saj, ndërsa vendosmëria jonë në vlerat e demokracisë është garancia e palëkundur e të ardhmes së përbashkët të paqes dhe përparimit”, u potencua në takim.


MË SHUME NGA Lajme