Heqja e dinarit serb, Rama: Kosova ka të drejtë të zbatojë Kushtetutën
V.Th. RTKlive
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Kosova ka të drejtën e saj të pamohueshme që të zbatojë Kushtetutën dhe të zbatojë ligjet e saj në të gjithë territorin e Republikës.
Rama tha se këto vendime duhen të merren në koordinim me aleatët, por pas tensioneve në Banjskë duhet ruajtur ekuilibri që të mos ketë përsëritje të tilla.
“Ndërsa të gjithë jemi dakord që qeveria e Kosovës duhet të angazhohet, të koordinohet dhe të punojë më ngushtë me aleatët e saj kryesorë, le të mos e harrojmë gjithashtu të drejtën e pamohueshme të Kosovës për të zbatuar kushtetutën e saj. Pas Banjskës, është thelbësore të ruani fokusin dhe ndjenjën e ekuilibrit”, ka shkruar Rama në platformën X.
Ndryshe më 1 shkurt Banka Qendrore e Kosovës vendosi të hyjë në fuqi ndalimi i dinarit serb për pagesat që bëheshin për komunitetin serb në Kosovë. Gjithashtu autoritetet kosovare mbyllën katër komuna paralele serbe, në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë gjatë javëve të fundit duke thënë se “institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”.
Këto vendime u kritikuan nga SHBA dhe BE duke i cilësuar “të nxituara dhe se do të rrisin tensionet etnike ne Kosovë”.
























