Statovci: Vendimi për ndalimin e dinarit nuk e ka qëllim penalizmin
BKT
Lajme

Statovci: Vendimi për ndalimin e dinarit nuk e ka qëllim penalizmin

B. H. | RTKlive

Deputetja e partisë "Guxo”, e cila funksionin në kuadër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Jeta Statovci ka folur për kërkesat e Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Evropian që të shtyhet zbatimi i vendimit për dinarin serb.

Ajo në një intervistë për “Info Plus” të RTK-së tha se çështja e valutës e ka bazën kushtetuese që mundëson transparencë e nuk shënjestron grupe të caktuara të shoqërisë.

“BQK është organ kushtetues dhe që nënkupton se e ka pavarësinë e saj në rregullat dhe vendimet e saj në raport me kompetencat e saj. Duke parë këto kompetenca, të cilat kanë bazën e saj qoftë në Kushtetutën e Kosovës, qoftë edhe në legjislacionin bazë të BQK-së është vepruar që të mos penalizohet ndonjë aktivitet, por të rregullohet aktiviteti i saj. Qoftë si Qeveri apo Kuvend, kompetencat e ndikimit në vendimmarrje janë absolutisht të limituara për shkak të pavarësisë që gëzon BQK-ja”, ka theksuar Statovci.   

Sipas saj, shtrirja e një realiteti funksional si dhe parandalimi i elementeve të tilla që janë shqetësuese, si shpëlarja e parave, financimi i dukurive negative dhe terrorizmit, por edhe ruajtja e integritetit financiar do të duhej t’i gëzonte të gjithë përfshirë edhe aleatët.

“Pra, kjo ka të bëjë vetëm me shtrirjen e ligjshmërisë dhe forcimin e demokracisë në shoqëri”, ka theksuar Statovci.

E pyetur për shqetësimet e shprehura nga ana e Serbisë lidhur me ndalimin e dinarit dhe që e sheh Kosovën si përgjegjëse nëse do të ketë shpërngulje të serbëve nga vendi, Statovci është shprehur: “Nuk është  çudi nëse Serbia do të tentojë të shantazhojë me këtë punë. Ajo do të tentojë të shantazhojë me elementin e sigurisë në raport me Kosovën. E këtë shantazh e përdor ndaj BE-së dhe SHBA-së, të cilat tentojnë të kenë një situatë sa më stabile dhe të paqes. Por, ne e dimë se Kosova ka qenë faktor që i ka kontribuuar gjithmonë paqes”, ka shtuar Statovci.

Lidhur me mundësinë zgjedhjeve të parakohshme në vend ajo tha se Kosova edhe ashtu ka hyrë tashmë në vit të rregullt zgjedhor.


MË SHUME NGA Lajme