Konjufca e Kallas, flasin për rrezikun e ndërhyrjeve ruse
BKT
Lajme

Konjufca e Kallas, flasin për rrezikun e ndërhyrjeve ruse

F.S / RTKlive

Pas takimeve me kryetarin e Parlamentit të Estonisë dhe presidentin, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, është pritur në një takim të veçantë edhe nga kryeministrja e këtij shteti, Kaja Kallas, me të cilën kanë diskutuar rrezikun e ndërhyrjeve ruse me mjete dhe mënyra të ndryshme.

Në njoftimin për media nga Kuvendi i Kosovës, thuhet se Konjufca duke falënderuar shefen e qeverisë estoneze për mbështetjen e popullit dhe shtetit të saj ndaj Republikës së Kosovës në të gjitha proceset, i bëri një retrospektivë bashkëpunimit ndërshtetëror, nga përpjekjet e shtetndërtimit, zhvillimit shtetëror, e deri te proceset integruese.

Pasi potencoi se Estonia dhe gjithë Evropa kanë sot një rrezik të përbashkët, rrezikun e ndërhyrjeve ruse me mjete dhe mënyra të ndryshme, kreu i legjislativit ritheksoi se Serbia mbetet ndër të vetmet vende në Evropë që refuzon të bëhet pjesë e sanksioneve anti-ruse.

Kryetari Konjufca ftoi kryeministren e vendit mik të na ofrojë asistimin në fushën e reformave ligjore dhe infrastrukturës zbatuese, me theks të veçantë në arsim dhe teknologji të lartë.

Kryeministrja Kallas ndërkaq garantoi për vendosmërinë e thellimit të marrëdhënieve midis dy vendeve në të gjithë sektorët.

Konjufca e Stoicescu flasin çështjet e sigurisë në të dy vendet

Kreu i Kuvendit Glauk Konjufca, në kuadër të vizitës zyrtare në Estoni, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Komitetit të Mbrojtjes Nacionale të Kuvendit të Estonisë, Kalev Stoicescu, me të cilin ka diksutuar lidhur me çështjet e sigurisë në të dy vendet respektive dhe në të gjithë kontinentin.

Kryetari Konjufca e njohu kryetarin Stoicescu për përparimin e institucioneve tona të sigurisë në raport me rreziqet hibride ruse, por edhe qasjen agresive të shteti serb karshi sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Konjufca kërkoi nga Stoicescu mbështetje sa i përket avancimit të kuadrit legjislativ në fushën e mbrojtjes, duke ditur se kontekstet e sigurisë po ndryshojnë në mënyrë kaq të shpejtë.

Bashkëbiseduesit ndan mendimin e përbashkët lidhur me perspektivën e qartë të thellimit të bashkëpunimit midis Kosovës dhe Estonisë.


MË SHUME NGA Lajme