Sindikata e Policisë së Kosovës këmbëngul në plotësimin e kërkesave
BKT
Lajme

Sindikata e Policisë së Kosovës këmbëngul në plotësimin e kërkesave

M.P. / RTKlive

Peticioni i Sindikatës së Policisë së Kosovës me kërkesat e parealizuara deri më tani është trajtuar me përplasje verbale në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione.

Në mungesë të realizimit të kërkesave të tyre, kryetari i Sindikatës së Policisë të Kosovës, Imer Zeqiri në “Info Plus” të RTK-së tha se kanë bërë kërkesë me shkrim për takim me kryeministrin Albin Kurti.

“Kemi pasur një takim në dhjetor të vitit të kaluar me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Jemi dakorduar që në takimin e ardhshëm, që ende s’e kemi mbajtur, të vendosim prioritetet rreth kërkesave tona”, ka thënë Zeqiri.

Tutje ai ka thënë se prioritet i kërkesave të tyre janë ligji për pensionim në moshën 55 vjeçare dhe sigurimi shëndetësor e jetësor.

Megjithatë, ai ka përmendur edhe kërkesat tjera të cilat synojnë t’i plotësojnë.

“...shujta ditore, që veç një numër i vogël i pjesëtarëve të policisë e gëzojnë, pagesa e udhëtimit për ata që udhëtojnë larg nga vendbanimi deri në punë, realizimi i pagës së 13-të që asnjëherë s’është realizuar”, ka përmendur Zeqiri si pjesë tjetër të kërkesave sindikale.

Ai ka folur edhe për kërkesën e themelimit të një fondi shtetëror, që i mbështet familjet e policëve të lënduar ose të rënë në detyrë.

“Ne në dhjetor e patëm edhe kërkesën për krijimin e një fondi për të gjithë ata pjesëtarë që kanë pësuar lëndime dhe kanë mbetur invalid të përjetshëm, e përveç një page që detyrohet Policia e Kosovës t’ua jap nga fondi i vet si ndihmë, nuk kanë ndonjë përkujdesje shtesë si dhe për familjarët e atyre që kanë humbur jetën në krye të detyrës, të ketë një vendim dhe fond nga vet shteti që t’i mbështet familjet”, ka shtuar ai.


MË SHUME NGA Lajme