Censurimi i Kurtit nga mediat serbe, reagon Kamberi
BKT
Lajme

Censurimi i Kurtit nga mediat serbe, reagon Kamberi

Sh.Ç /RTKlive

(E plotësuar) Deputeti i vetëm shqiptarë në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka reaguar pasi disa media në Serbi nuk transmetuan fjalimin e kryeministrit Albin Kurtit në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Kamberi në një reagim në platformën “X”, shkruan se janë katër media që kanë ndërprerë transmetimin, ndërsa mediat në Kosovë kanë transmetuar gjithë fjalimin e presidentit serb.

“Ndërsa Albin Kurti mbajti fjalimin e tij, RTS dhe tre stacione të tjera televizive serbe ndërprenë transmetimin e seancës së Këshillit të Sigurimit. Ndërkohë, RTK e transmetoi të gjithë fjalimin e Vuçiqit! Tani, në cilin vend ka më shumë tolerancë”, thekson  Kamberi.

Mediat në Serbi censurojnë fjalimin e Kurtit, ndalën transmetimin direkt

Në mediat serbe transmetimi nuk ka vazhduar drejtpërdrejt kur fjalën e ka marrë kryeministri Kurti. Në televizionin shtetëror të Serbisë (RTS) transmetimi është ndërprerë sapo e ka marrë fjalën Kurti. Transmetimi është ndërprerë edhe nga disa media tjera serbe.

Këshilltari i zëvendëskryeministrit, Klisman Kadiu, ka reaguar, duke thënë se Aleksandër Vuçiq është në panik e frikë të madhe përballë Republikës së Kosovës. Ndërsa, situatën me transmetimin e ka përshkruar si censurë.

“Në Serbi, e kanë ndalur transmetimin atëherë kur ka nisur fjalën kryeministri Kurti. Kaq për lirinë e mediave e të informimit në Serbi. Censurë. Për të ardhur keq që serbët atje nuk kanë mundësi të dëgjojnë mbi realitetin e të vërtetat”, ka shkruar ai.

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të enjten është diskutuar për Kosovën me kërkesën e Serbisë pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës. Diskutimi është transmetuar drejtpërdrejt, ndërkohë që Kosovën e ka përfaqësuar kryeministri Albin Kurti e Serbinë presidenti i saj.

Kryeministri Kurti e ka kualifikuar gënjeshtër çdo pretendim të presidentit të Serbisë të shprehur në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se nëpërmjet vendimit të fundit të BQK-së që e përcakton euron si valutën e vetme për pagesa, Kosova është duke kryer spastrim të serbëve.

Në fjalimin e mbajtur para KS të OKB-së Kurti ka theksuar se pretendimet përbëjnë propagandë të rrejshme dhe nxitje të tensioneve.


MË SHUME NGA Lajme