Policia jep detaje për protestën në Mitrovicën e Veriut
BKT
Lajme

Policia jep detaje për protestën në Mitrovicën e Veriut

Edina Avdiu | RTK

(E plotësuar) Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me protestën e sotme të qytetarëve serbë në Mitrovicën e Veriut.

Në komunikatë, policia thekson se me kohë i ka ndërmarrë masat e nevojshme policore me qëllim të ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës.

Sipas policisë, në këtë protestë kanë marrë pjesë rreth 1.800 persona, përfshirë ata të cilët nga rajone të ndryshme kanë ardhur në formë të organizuar me autobus e vetura, derisa ajo ka përfunduar në ora 12:30 dhe ka kaluar e qetë pa ndonjë incident.

“Ashtu siç parashihet me ligjin mbi tubimet publike, protesta ka qenë e paralajmëruar nga organizatori, e që në këtë rast ka qenë shoqata e pensionistëve si dhe parimisht ishte marrë pëlqimi nga autoritetet komunale për shfrytëzimin e hapësirës publike. Policia e Kosovës ç’do herë ka njohur dhe njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, theksohet në komunikatën e policisë.

Përfundon protesta në Mitrovicë të Veriut

Ka përfunduar protesta e qytetarëve serbë në qendër të Mitrovicës së Veriut.

Protestuesit e thirrur nga Shoqata e Pensionistëve serbë, për të kundërshtuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, që e përcakton se Euro është valutë e vetme e vlefshme në Kosovë janë shpërndarë të qetë.

Serbët në Mitrovicën e Veriut protestojnë kundër rregullores së BQK-së

Qindra qytetarë serbë janë mbledhur në qendër të Mitrovicës së Veriut për t`iu përgjigjur thirrjes për protestë.

Kjo protestë është thirrur nga Shoqata e Pensionistëve serbë, për të kundërshtuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, që e përcakton se Euro është valutë e vetme e vlefshme në Kosovë.

Protesta është përkrahur edhe nga Lista Serbe, e ku pjesë e protestës është edhe Igor Simiq.

"Evropë hapi sytë", "UN 1244, SHBA ndihmo", "Pensionin e kam marrë gjithë jetën, nuk ia jap Kurtit". "Ky është okupim", janë disa nga mbishkrimet që mbajnë në duart protestuesit, derisa ka edhe të atilla për lirimin e pjesëtarëve të arrestuar që ishin pjesë e agresionit të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë, ku mbeti i vratë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm


MË SHUME NGA Lajme