Dugolli: Situata e sigurisë në vend është stabile
E. Hoti / RTKlive
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosjes, Enver Dugolli ka folur në ‘Info Plus’ të RTK-së për situatën e sigurisë në vend dhe për raportimin e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci sot në komisionin për siguri të Kuvendit të Kosovës.
Duke folur për debatin e ashpër në komision, Dugolli tha se sa më afër zgjedhjeve aq më e zhurmshme është edhe opozita. Sipas tij kjo nuk duhej të ndodhte kur dihet fakti se fusha e mbrojtjes dhe sigurisë është fokus i veçantë i Qeverisë Kurti.
“Këto janë gjëra që ndodhin. Opozita është aty për të bërë opozitën. Por, deri tani kemi pasur një lloj konsensusi që gjatë raportimeve dhe debateve që kanë të bëjnë me sigurinë mos të shfrytëzohen ato momente për poena politikë. Megjithatë ndodhi kjo. Nuk ishte ndonjë befasi sepse tani e kuptojmë se është një vit pothuajse zgjedhor”, tha ai.
Madje ai tha se kjo është strategji e gabuar e opozitës sepse sipas tij ata po godasin në pikat më të forta të qeverisjes. “Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes kanë marrë një mbështetje të jashtëzakonshme nga Qeveria e Kosovës dhe këtyre rezultateve edhe ata do të duhej t‘ju gëzoheshin. Unë mendoj se prapa kamerave ata e pranojnë një gjë të tillë”, tha ai.
Ai foli edhe për largimin e ushtrave nga FSK-ja.”Nuk ka ndodhur ndonjë largim më i madh në përqindje sesa në vitet e kaluara. Pra, është një konstante prej themelimit të FSK-së. Ka rekrutime, ka prurjeje, por ka edhe një numër të vogël largimesh në krahasim me ata që rekrutohen. Ne nuk do të dëshironim që edhe ata ta lenë uniformen, por është zgjedhje e tyre”, tha ai.
Dugolli gjithashtu tha se Qeveria po bënë gjithçka që është e mundur që t’i rrisin pagat për ushtarët. “Me miratimin e ligjit e kemi rritur bazën e pagës së ushtarit. Nuk themi se është e mjaftueshme, por kjo do të rritet konform rritjes ekonomike dhe rritjes së buxhetit”, tha ai.
Ai përmendi edhe ndarjen e buxhetit për pajisje të sistemit të armatimit.“Vetëm në vitin 2018-2020 janë ndarë tre pikë katër milionë për armatim dhe sisteme të armatimit. Ndërsa në vitin 2021-2023 janë mbi 200 e 34 milionë euro që janë shpenzuar për armatim, pajisje dhe municion. Është diferencë shumë e madhe për të cilën pastaj del edhe përgjigjja për ngarendjen për të marrë poena politikë”, tha ai.
Ai theksoi se situata e sigurisë është stabile dhe nën kontroll në çdo cep të vendit. “Gjendja është më stabile se sa një vit më parë kur kishim kërcënime të hapura. Mirëpo gjithmonë jemi të vëmendshëm të bashkëpunojmë me KFOR-in dhe EULEX-in që sidomos në veri të mos ketë ndonjë befasi nga formacionet terroriste të cilat janë të lira në Serbi”, potencoi ai.























