Kurti: Serbia refuzon nënshkrimin e marrëveshjes, pasi synon pushtimin
B. H. | RTKlive
(E plotësuar) Kryeministri i Republikës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, qëllimisht po refuzon të nënshkruajë Marrëveshjen e Brukselit, për ta lënë të hapur mundësinë e ripushtimit të Kosovës.
Në panelin e diskutimit mbi sfidat e sigurisë për Ballkanin Perëndimor, i organizuar nga instituti Chatham House, kreu i qeverisë ka bërë thirrje që marrëveshja ndërmjet dy vendeve të nënshkruhet urgjentisht.
“Nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është më urgjent se kurrë. Marrëveshja që e kemi s’është e plotë, pasi na duhet një marrëveshje bonafide, që të kemi legjitim dhe zbatim të saj. Duke mos e nënshkruar, Vuçiqi dëshiron ta mbajë të hapur opsionin e pushtimit të Kosovës. S’mund të shoh tjetër kuptim substancial të këtij refuzimi për nënshkrim, pos kësaj. Ata duan të mbajnë të hapur këtë derë, që të kenë dritare të tjera për t’u kthyer dhe për të përsëritur agresionin”, është shprehur Kurti gjatë këtij paneli.
Tutje Kurti ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të rishikojë me vëmendje reformimin demokratik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të hiqet rreziku nga ndonjë tension i mundshëm.
Sipas kryeministrit, Serbia është duke e shfrytëzuar agresionin në Kosovë për ruajtur raportet me Rusinë dhe Kinën.
Kurti tha se Serbia ka bërë hapa prapa në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, por sipas tij kjo nuk do të thotë që ajo duhet t’i mbajë prapa edhe shtetet tjera të rajonit.
“Një shtet s’mund t’i mbajë prapa shtetet e tjera, por Serbia po e mban prapa rajonin. Serbia e njeh de jure Bosnjën e Hercegovinën por jo de fakto. Ashtu sikurse edhe Malin e Zi”, ka thënë Kurti.
Kurti: Siguria, themeli mbi të cilin mund të rritet vendi ynë
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se siguria është themeli mbi të cilin Kosova mund të vazhdojë të rritet.
I pari i ekzekutivit përmes një postimi në platformën X, ka njoftuar se ka marrë pjesë në panelin e organizuar nga Instituti i Politikave ‘’Chatham House’’, ku u diskutua mbi Kosovën dhe gjeopolitikën evropiane.
“Siguria e Kosovës dhe mbështetja për të është themeli mbi të cilin vendi ynë mund të vazhdojë të rritet. Falënderoj ChathamHouse dhe UCL për ftesën në një panel ku u diskutua mbi Kosovën, gjeopolitikën evropiane dhe më shumë”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri Kurti të hënën ka udhëtuar për vizitë njëditore në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka pasur takime me zyrtarë të institucioneve.























