AGK diskuton për qëndrueshmërinë financiare të medieve
BKT
Lajme

AGK diskuton për qëndrueshmërinë financiare të medieve

M. P. / RTKlive

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka diskutuar për qëndrueshmërinë financiare të medieve lokale, në kuadër të Akademisë së Integritetit të Informacionit.

Sipas komunikatës së AGK-së, gjatë diskutimit të sfidave me të cilat ballafaqohen mediet lokale në Kosovë, u tha se shpeshherë ato duhet të operojnë pa kompensim ose të hasin vështirësi në sigurimin me kohë të pagave për të gjithë gazetarët.

“Duke qenë se audienca jonë janë komuniteti rom në Kosovë, atëherë është e vështirë që të kemi një stabilitet financiar e të kemi të hyra nga reklamat. Kjo reflektohet edhe në pagat për gazetarët, ku shpesh ndodhë që të hasim në vështirësi për të siguruar fondet e nevojshme”, tha Fatmir Menekshe nga Radio Romano Avazo.

Një nga sfidat që u diskutua është edhe çështja e mos citimit nga kolegët e medieve qendrore.

“Është shumë e rëndësishme që mediet lokale të citohen nga mediet qendrore në momentin që informacioni publikohet nga portalet lokale, kjo edhe për vizibilitetin tonë. Respektimi i të drejtës së autorit është kyçi në këtë aspekt”, tha ndër tjerash Urall Boshnjaku nga portali "Mitropol".

Po ashtu, u diskutua edhe për mënyrat se si mund të lehtësohej puna e medieve lokale nga institucionet vendore.

“Duke qenë se mediet nacionale kanë shtrirje më të madhe, rrjedhimisht edhe mbështetje nga reklamat kanë më shumë, atëherë do të duhej të krijoheshin mekanizma nga institucionet dhe nga Komisioni i Pavarur i Medieve për lehtësira në pagesat e licencave për mediat lokale dhe mediet e komuniteteve jo-shumicë”, shtoi Florandë Morina, anëtare e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Po ashtu, u diskutua çështja për gjetjen e modaliteteve për draft ligjin e propozuar nga Qeveria e Kosovës për Komisionin e Pavarur të Mediave, ku mediet lokale e shohin si rrezik dhe pengesë shtesë për operimin e tyre.

Diskutimi u fokusua në gjetjen e mënyrave për të forcuar dhe mbështetur mediet lokale, duke siguruar që ato të kenë burime të mjaftueshme për të funksionuar në mënyrë efektive, dhe për të përfaqësuar diversitetin e nevojat e të gjitha komuniteteve në Kosovë.


MË SHUME NGA Lajme